Me një finale emocionuese dhe plot kthesa, skuadra e Beshiktashit, e udhëhequr nga trajneri Furkan Ali, u shpall kampione e turneut “Saraj Star” për grupmoshat U-9, pasi në finale mposhti ekipin Internacional, të drejtuar nga Rexhep Sulejmani.
Finalja dhuroi spektakël të vërtetë për të pranishmit. Internacional e nisi më mirë takimin dhe krijoi epërsi prej 2:0 falë golave të shënuar nga Omar Latifi dhe Anuari, duke u dukur pranë triumfit.
Megjithatë, Beshiktashi nuk u dorëzua. Heroi i skuadrës ishte Dajen Osmani, i cili me dy gola të shënuar në minutat e fundit riktheu ekipin në lojë dhe barazoi rezultatin në 2:2, duke e çuar finalen në ekzekutimin e penalltive.
Nga pika e bardhë, futbollistët e Beshiktashit u treguan më të saktë dhe siguruan fitoren, duke ngritur trofeun e kampionit të turneut.
Përveç suksesit ekipor, Dajen Osmani u vlerësua edhe me çmimin individual si golashënuesi më i mirë i turneut, pasi realizoi gjithsej tetë gola gjatë garës.
Turneu “Saraj Star” mblodhi skuadra të grupmoshave të reja nga rajoni, duke ofruar ndeshje cilësore, talent të madh dhe një atmosferë sportive që promovon zhvillimin e futbollit te gjeneratat e reja.

