Sipas kryetarit të Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, brenda gjashtë muajve të parë të vitit deri në 150 mijë qytetarë mund ta lëshojnë vendin për një jetë më të mirë.
Azemi ka thënë se ikja veçse është vërejtur qysh nga fillimi i janarit me heqjen e vizave, dhe se sipas tij, për këto javë të parë kanë ikur më së shumti punëtorët nga sektori i ndërtimtarisë dhe gastronomisë.
“Minimumi deri në qershor të këtij viti kemi me pasë ikje rreth 150 mijë. Ikje të punëtorëve do të ketë, jo ato që i kemi pasur më herët. Kjo shifër është dyfish më e vogël se që po thuhet. Po thuhet që nga Kosova do të dalin rreth 400 autobusë, nuk është e vërtetë sipas nesh, po dalin 100 autobusë. Minimumi janë 5000 njerëz në ditë. Nëse llogarisim për 30 ditë janë 150 mijë njerëz… Kryesisht punëtorët e ndërtimtarisë dhe gastronomisë kanë ikë”, ka thënë ai.
Por, Azemi ka paralajmëruar se numri prej 150 mijë mund të jetë më i madh.
“Nëse nxjerrim të dhënat 2021-22-23 dhe mesatarja është se kemi pasur ikje rreth 60 mijë punëtorë çdo vit. Tani kur është hapë rruga, mund të rritet tri herë ajo shifër”, ka shtuar ai.
E, ndërkohë Azemi ka folur për kushtet e punëtorëve teknikë dhe atyre të sigurimit fizik të sektorit privat që punojnë në spitale dhe qendra të mjekësisë familjare. Ai pati njoftuar të martën se seanca e parë gjyqësore për padinë që Sindikata i pati bërë Ministrisë së Financave dhe asaj të Shëndetësisë për pagesën e shtesave në kohën e COVID-19 për këta punëtorë, është caktuar për në shkurt.
Azemi është shprehur i bindur se mjetet nga ato shtesa do t’u dalin edhe punëtorëve teknikë dhe të sigurimit fizik.
“Në një dhomë ku punon punëtori teknik, i sigurimit fizik, infermieri dhe mjeku, dhe të paguhen këta e këta jo është anomali. 95% jam i bindur se këto mjete do të jenë në llogaritë e punëtorëve brenda një periudhe shumë të shkurtër”.
Ai ka paralajmëruar edhe ikjen e punëtorëve të sigurimit fizik.
“Sidomos punëtorët e sigurimit fizik, në QKUK këta punëtorë kanë thënë se do ta presin fundin e janarit dhe diku mbi 50% të tyre do ta lëshojnë vendin e punës. Vetëm në QKUK janë rreth 300 punëtorë të sigurimit fizik. Buxhet ka të mjaftueshëm, a ka logjikë ky punëtor të nënshkruajë kontratë me 300 euro. Tregu i punës, fuqia ka ndryshuar dhe nuk mund ta konsiderojmë një kontratë të arsyeshme ato me minimum nën 450 euro”.
Azemi ka thënë se në sigurim fizik ka punëtorë 80 vjeç.
“Ne sot në kompanitë e sigurimeve fizike kemi punëtorë 78 vjet e 80 vjeç që punojnë punë nga 190 orë. Mund të jetë me qindra po, por ndoshta edhe me mijëra. Në kompanitë e sigurimit fizik kemi punëtorë që kanë nevojë për përkujdesje ndaj tyre, lëre më ata të përkujdesen për të tjerë”, ka përfunduar ai.