Sekretari i përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, lidhur me marshin e mbajtur në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe barazimin që bëri sot të viktimave, duke përmendur shqiptarët, serbët, romët…
Ademi tha se, derisa mbi 100 mijë shqiptarë marshuan të shtunën në Prishtinë duke kërkuar drejtësi dhe liri për çlirimtarët, një ditë më vonë ministri Shasivari, zgjodhi ta barazonte viktimën me agresorin.
“Dje, mbi 100 mijë shqiptarë në Prishtinë kërkuan drejtësi për çlirimtarët: Liri! Sot, një palo-ministër i Drejtësisë, që i thotë vetes shqiptar, barazon viktimën me agresorin”, deklaroi Ademi. Sekretari i përgjithshëm i BDI-së iu drejtua Shasivarit me fjalët “Gospodine Shasivari”, duke e akuzuar se po mban leksione për Kosovën nën ndikimin e profesoreshës universitare Tanja Karakamisheva.
“Gospodine Shasivari, Kosova i ka plagët ende të hapura. Nuk ka nevojë për leksionet tua, aq më pak kur t’i dikton Karakamisheva, tutorja jote politike”, theksoi Ademi. Ai shtoi se Kosova e njeh qartë historinë e saj dhe nuk mund të lejojë relativizimin e luftës çlirimtare dhe të krimeve të kryera gjatë luftës.
“Kosova e di kush vrau dhe kush u vra. Kush pushtoi dhe kush luftoi për liri”, shkroi Ademi. Sipas tij, Shasivari kundërshton marshin në mbështetje të UÇK-së, ndërsa hesht përballë partnerëve të tij qeveritarë që, siç pretendon Ademi, glorifikojnë kriminelin e dënuar të luftës Ratko Mlladiq.
“Shasivari bërtet kundër marshit të UÇK-së, ndërsa hesht ndaj kolegëve që i ka në Qeveri, të cilët glorifikojnë Mlladiqin. Edhe unë po ia jap një porosi: Jeton, këtë mesazh kthejua autorëve të tij, Serbisë! Turp duhet të kesh!”, përfundoi Ademi.

