Evakuohen tre alpinistë nga mali Bistrica, njëri kishte shfaqur probleme shëndetësore

3 Min. Leximi

Qendra për Menaxhim me Kriza ka njoftuar se janë evakuuar tre aplinistë nga mali Bistrica, pasi njëri nga ata kishte shfaqur probleme shëndetësore, jo nga lëndimi por nga vështirësia për të ecur, njofton TV21.
Në njoftimin e QMK-së bëhet e ditur se alpinistët pas marrjes së trajtimit adekuat mjekësor, janë lëshuar për në shtëpi.
Njoftimi i plotë i QMK-së:
Përmes Numrit Unik për Thirrje Emergjente 112, në ora 18:46, në Qendrën Rajonale për Menaxhim me Kriza (QRMK) në Tetovë u pranua një njoftim nga një person, i cili kërkoi ndihmë për evakuim nga mali Bistrica, pasi grupi kishte mbetur i bllokuar në një terren të vështirë dhe të paarritshëm.
Sipas informacioneve të marra, bëhej fjalë për një grup prej tre alpinistësh, ku njëri prej tyre gjatë ecjes kishte shfaqur probleme më serioze shëndetësore – dhimbje në gjoks, vështirësi në frymëmarrje dhe vështirësi në lëvizje. Personat nuk kishin pësuar lëndime, por për shkak të gjendjes shëndetësore dhe terrenit të paarritshëm ishte e nevojshme organizimi urgjent i një aksioni shpëtimi. Deri në vendndodhjen e tyre nuk ishte i mundur qasja me automjet terreni, por kërkohej ecje prej të paktën tre deri në katër orë.

Menjëherë pas pranimit të njoftimit, Qendra për Menaxhim me Kriza, përmes QRMK-së Tetovë, vendosi koordinim me SPB Tetovë, Ndihmën e Shpejtë Mjekësore, Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim – Tetovë dhe Parkun Nacional “Mali Sharr”, me qëllim organizimin e evakuimit të sigurt të personave.

Në aksion u përfshi edhe një alpinist-shpëtimtar, anëtar i Ekipit për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Shpëtim në Mal, i cili u nis menjëherë drejt vendndodhjes së raportuar. Gjatë gjithë aksionit, QMK-ja përmes QRMK-së Tetovë mbajti komunikim të vazhdueshëm me personat që kërkuan ndihmë dhe koordinoi punën e të gjitha institucioneve kompetente, në përputhje me Procedurat Standarde Operative për shpëtimin e personave në rrezik për jetën.
Pas mbërritjes së alpinistit-shpëtimtar te grupi, në konsultim me ekipin e Ndihmës së Shpejtë Mjekësore u bë vlerësimi i gjendjes shëndetësore të personit. U konstatua se, me shoqërimin e shpëtimtarit, se ai mund të lëvizte në mënyrë të sigurt deri në një pikë të qasshme.
Në pikën e sigurt, alpinistët u pritën nga zyrtarët policorë dhe ekipi i Ndihmës së Shpejtë Mjekësore, pas së cilës u transportuan në Spitalin Klinik të Tetovës për ekzaminime të mëtejshme mjekësore.Më vonë, Stacioni Policor i Tearcës njoftoi se personat kishin mbërritur të sigurt në fshatin Leshk, ku ekipi i Ndihmës së Shpejtë Mjekësore i ofroi ndihmën e parë personit për shkak të gjendjes shëndetësore të të cilit ishte organizuar aksioni. Pas kontrolleve mjekësore u konstatua se personat nuk kishin pësuar lëndime dhe, pas marrjes së ndihmës mjekësore, u liruan për trajtim në shtëpi.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull