Mexhiti: Zgjedhjet lokale konfirmuan fitoren plebishitare të VLEN-it, 10 me 3 kundrejt BDI-së

2 Min. Leximi

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka komentuar rezultatin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Bërvenicë, duke thënë se subjekti politik që ai përfaqëson është duke analizuar shkaqet e rezultatit zgjedhor.

Në emisionin “Debat në Shenja”, Mexhiti tha se në Bërvenicë VLEN kishte synuar të thyente një tabu, duke kandiduar një person nga ajo komunë, përkatësisht nga Tenova.

“Ne kemi dashur të thyhet një tabu që kandidati të jetë nga ai vend. Kandidati ka qenë nga Tenova, por në ditën e zgjedhjeve u pa se votuesit kanë votuar në bazë të lokalizmave. Ndoshta duhet kohë”, deklaroi Mexhiti.

Ai theksoi se bëhet fjalë për zgjedhje të jashtëzakonshme dhe vlerësoi se disa po tentojnë ta matin legjitimitetin politik përmes rezultatit në Bërvenicë.

Duke folur për legjitimitetin politik dhe rezultatet e zgjedhjeve lokale, Mexhiti tha se ato duhet të vlerësohen në një kontekst më të gjerë, duke iu referuar numrit të komunave që udhëhiqen nga VLEN-i dhe BDI-ja.

“Kur themi të matim legjitimitetin te zgjedhjet lokale, VLEN ka 10 komuna në të gjitha qytetet shqiptare, kundrejt BDI-së, që ka tri komuna rurale”, u shpreh ai.

Mexhiti rikujtoi se zgjedhjet lokale u mbajtën para një viti, duke e cilësuar rezultatin e VLEN-it si fitore plebishitare. Sipas tij, VLEN-i udhëheq në shumicën e qendrave urbane shqiptare, nga Shkupi deri në Strugë dhe Dibër.

“Numri është 10 me 3”, theksoi Mexhiti, duke nënvizuar se, sipas tij, ky raport pasqyron rezultatin e përgjithshëm të zgjedhjeve lokale dhe pozitën e VLEN-it në komunat shqiptare.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull