Rënia e Kosovës për 19 pozita, Kurti i gatshëm të adresojë shqetësimet e mediave

2 Min. Leximi

Kryeministri Albin Kurti ka shprehur gatishmërinë e qeverisë që ai drejton për adresimin e shqetësimeve të mediave, pas raportit të Reporterëve Pa kufij, sipas të cilit Kosova ka shënuar regres sa i përket lirisë së mediave, duke pësuar rënie për 19 vende, nga pozita 56 në 75.

Në një postim në rrjetin social X, kreu i ekzekutivit vendor tha se janë të gatshëm të adresojnë shqetësimet që kanë të bëjnë me lirinë e mediave.

“Në këtë Ditë Botërore të Lirisë së Shtypit, duam të pranojmë përpjekjen që duhet për të ndriçuar të vërtetën në një kohë dezinformimi të madh dhe të armatosur. Qeveria jonë është e hapur dhe e gatshme të adresojë shqetësimet e medias dhe të punojë drejt një peizazhi më transparent dhe pluralist”, ka shkruar ai.

Ndryshe, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës dhe Komisioni i Pavarur për Media, sot kërkuan nga qeveria veprime konkrete për përmirësimin e situatës.

Ata thanë se raporti i Reporterëve Pa Kufij duhet të jetë alarm për Qeverinë e Kosovës, pasi vetëm gjatë vitit të kaluar janë shënuar rreth 30 sulme brenda pak javësh në veri.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës tha se përmirësimi i kësaj situate është në dorë të qeverisë, për çka bëri thirrje që ligji i ri i KPM-së të mos dërgohet në miratim përfundimtar.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull