Kryetari i Lëvizjes Demokratike dhe bartës i VLEN-it në Njësinë e Parë Zgjedhore, Izet Mexhiti, në facebook ka shkruar se bizneset nuk kanë nevojë që të frikëoshen, nga politikanë të cilët i targetojnë ata dhe i kërcënojnë.
Mexhiti, shton, se me VLEN-in ata do të kenë përkrahje dhe mbrojtje.
“Biznesmenët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, si burim i punësimit të aq shumë punëtorëve të cilët mbajnë familjet e tyre, gjithmonë do të jenë të vlerësuar dhe respektuar nga koalicioni VLEN.
Ne e dimë se, sa herë që vjen fushata, ka politikanë të kriminalizuar që i targetojnë bizneset, duke i frikësuar e duke i kërcënuar të mos shprehen lirisht. Kësaj radhe, ata do të humbin e do të largohen nga pushteti.
Bizneset nuk kanë nevojë të kenë frikë. Tek qeveria e koalicionit VLEN, biznesi do të gjejë përkrahje dhe mbrojtje. Me taksa të ulëta, e mbi të gjitha duke eleminuar haraçin, ne do të mundësojmë që secili të vazhdojë punën dhe të zhvillohet vetë, duke na zhvilluar të gjithëve.
Pa ekonomi nuk ka avancim. Dhe pa biznes nuk ka ekonomi. Sepse djersa e shqiptarëve VLEN! Biznesi i shqiptarëve VLEN!”, ka shkruar Mexhiti.