Deputeti i BDI-së, Blerim Bexheti, ka reaguar pas dënimit me 3 muaj burg të një të riu shqiptar për festimin e 28 Nëntorit dhe mbajtjen e simboleve kombëtare. Ai e ka cilësuar vendimin “padrejtësi të rëndë” dhe “alarm që nuk mund të kalojë në heshtje”.
“Është e papranueshme që në vitin 2026, një shqiptar të përfundojë në burg për simbolet e identitetit të tij kombëtar. Flamuri kuqezi nuk është provokim, nuk është krim dhe nuk mund të trajtohet si kërcënim”, ka theksuar Bexheti.
Sipas tij, shqiptarët nuk do të kthehen në kohën kur flamuri ishte arsye për përndjekje. “Askush nuk ka të drejtë ta kriminalizojë identitetin tonë, ta nëpërkëmbë dinjitetin tonë dhe të zbatojë standarde të dyfishta ndaj shqiptarëve”, ka thënë ai, duke shtuar se shqiptarët janë popull autokton dhe shtetformues që meritojnë barazi të plotë, drejtësi dhe respekt.
Bexheti ka kërkuar transparencë të menjëhershme institucionale, sqarim të plotë të bazës ligjore të dënimit dhe përgjegjësi nga institucionet përkatëse.
“Flamuri ynë është identitet, krenari dhe histori. Nuk ka gjykatë që mund ta bëjë atë krim!”, ka përfunduar ai.

