Këshilltarët e AKI-së në Komunën e Butelit dhe qytetin e Shkupit kanë njoftuar se, pas denoncimeve dhe kërkesave të tyre për mosvendosjen e mbishkrimeve në gjuhën shqipe, inspektorët e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve kanë zhvilluar sot kontrolle edhe në Qytetin e Shkupit.
Këshilltari i AKI-së në Butel, Armend Murseli, përmes një reagimi publik ka kërkuar që të ndërmerren masat e nevojshme për vendosjen e mbishkrimit edhe në gjuhën shqipe në tabelën e parkut.
Ai ka kërkuar gjithashtu që kontrollet të vazhdojnë edhe brenda Komunës së Butelit, duke përfshirë tabelat e rrugëve, ueb-faqen zyrtare, vulat dhe dokumentacionin zyrtar.
Murseli ka mbajtur edhe një konferencë për media së bashku me këshilltarë të tjerë të AKI-së, ku kanë ngritur shqetësimet për mosrespektimin e dygjuhësisë në hapësirat publike dhe institucionet lokale.

