Deputeti i VLEN-it, Zekirja Tahiri përmes një postimi në Fejsbuk ka reaguar ndaj mungesës së Ali Ahmetit dhe Talat Xhaferit në sallën e Kuvendit gjatë votimit të marrëveshjes historike ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për vendkalimet e përbashkëta kufitare, përmes modelit “One Stop Shop”.
Tahiri thekson se është e pakuptueshme që ata që qëndruan në Kuvend deri në orën 03:00 të mëngjesit për të votuar Ligjin për Qeverinë, me shpresën për t’u rikthyer në pushtet, munguan kur duhej të votohej një marrëveshje me rëndësi të veçantë për shqiptarët dhe qytetarët e të dy vendeve.
“A e kuptoni patriotizmin e tyre të rrejshëm? A e kuptoni pse e bllokojnë Ligjin për përfaqësim të drejtë? Pse nuk pajtohen për Provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe? Vetëm sepse VLEN-i po i bën ato që Alia nuk i bëri për 20 vjet”, ka thënë Tahiri.
Ai ka kritikuar gjithashtu patriotizmin e pretenduar të ish pushtetarëve duke e cilësuar atë si një mburojë politike, ndërsa ka përmendur edhe çështjet Soravia dhe Alta banka si tema që, sipas tij, “kërkojnë përgjegjësi dhe transparencë”.
“Sa shpejt po ju bie maska e rrejshme e patriotëve që në fakt iu shërbente si mburojë për tregtitë me Soravinë e Alta bankën!”, shkruan deputeti Tahiri.

