Shkup, 19 shkurt – Sipas të gjitha gjasave BDI dhe LSDM nuk do të dalin me kandidat të përbashkët konsensual për president, edhe pse fillimisht kështu ishte paralajmëruar. Këtë fuqishëm e dëshironte mbi të gjitha LSDM, mirëpo për shkak rrethanave politike, si duket BDI ka ndryshuar mendje dhe do të del me kandidat të vet. Kreu I LSDM-së Dimitar Kovaçevski, thotë se do të kenë kandidat të mbështetur nga të gjitha partitë e koalicionit, e për atë nëse do ta gëzojnë edhe përkrahjen e BDI-së, thotë se duhet të përgjigjet vet BDI-ja.
“Kandidati ynë për president do të jetë kandidat i mbështetur nga partitë politike progresive të cilat kanë qenë me ne në koalicion, të cilat janë me ne në koalicion dhe që do të jenë në zgjedhjet e ardhshme në koalicion e me të cilët vetëm kemi filluar bisedime për pjesëmarrje konkrete në zgjedhje.
A është BDI mes atyre partnerëve të koalicionit që do ta mbështesë kandidatin tuaj?\
Nuk e di, kjo është pyetje të cilës duhet t’i përgjigjet BDI-ja. BDI ka opsion ose të mbështesë kandidatin për president të cilin ne do ta propozojmë apo do të kenë kandidat të tyre për president, ky është vendim i BDI-së dhe jo vendim i yni.”- tha Dimitar Kovaçevski – Kryetar I LSDM.
E çfarë do të bëjë BDI-ja? Kreu i kësaj partie Ali Ahmeti, tha që përderisa u politizua çështja e kandidaturës për president, tani edhe BDI do të propozojë një kandidat.
“Sigurisht që edhe Bashkimi Demokratik për Integrim, përderisa u politizua kandidatura për president, edhe BDI do të ketë kandidatin e vet.”- tha Ali Ahmeti – Kryetar I BDI-së.
Nga ana tjetër, opozita shqiptare vetëm se e ka bërë publike kandidatin e tyre për president, Arben Taravarin. Ky i fundit në kongresin e së premtes, tha që do ta dëshironte Ahmetin për kundërkandidat.
“Z.Ahmetin do kisha dashur realisht ta kem kundërkandidat.
Pse?
Do ishte interesante.”- pohoi Ali Ahmeti – Kryetar I BDI-së.
Megjithatë Ahmeti nuk do të plotësojë dëshirën e Taravarit. Thotë se në organet e partisë nuk është shtruar fare kjo çështje.
Përndryshe, kandidatë për president priten të publikohet edhe nga VMRO-DPMNE. Kreu i kësaj partie në Click Plus pati thënë se në parti po diskutohen tre kandidatë potencial por shpallja është ende e hapur. Deri tani publikisht që dihet, si kandidat për president janë Arben Taravari nga blloku opozitar shqiptar, Biljana Vankovska nga Levica dhe Velo Markovski si i pavarur.