Porosi për gjetjen e një zgjidhjeje për presidentin e ri ka ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kongresisti George Latimer, në letrën e urimit për kryeministrin Albin Kurti për mandatin e ri, u ka bërë thirrje partive politike në Kosovë që të kthehen në tryezën e negociatave. E në Partinë Demokratike kanë dhënë sërish sinjale se janë të hapur për marrëveshje
Një ditë para seancës së parë plenare të Legjislaturë XI, kryeministrit, Albin Kurti një letër urimi i ka ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila bartë me vete edhe një porosi për të dhe spektrin politik në Kosovë.
Kongresisti demokrat, George Latimer, u bëri thirrje partive që të arrijnë ujdi për zgjedhjen e presidentit.
“I inkurajoj të gjitha partitë politike në Kosovë që të kthehen në tryezën e negociatave për të arritur një marrëveshje për Presidentin e ri, në mënyrë që të shmanget një cikël tjetër i kushtueshëm i zgjedhjeve parlamentare. Siç e dëshmon përvoja e Shteteve të Bashkuara, dialogu i hapur dhe bashkëpunimi ndërmjet partive në çështje të interesit kombëtar janë thelbësore për përparimin e një shoqërie demokratike”, thuhet në letrën e Latimerit.
Të hënën mbahet seanca e parë e legjislaturës së dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit.
Në rend të ditës, përpos betimit të deputetëve të ri që kanë marrë vendin e kolegëve të tyre që u bënë ministra, do të jetë edhe miratimi i një deklarate lidhur me Aktgjykimin e Gjykatës Speciale dhe zgjedhja e nënkryetarit nga radhët e Partisë Demokratike.
Përderisa konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë i njohu si legjitime Gjykata Kushtetuese, vendi mund të shkojë sërish në zgjedhje në rast se nuk zgjidhet presidenti i ri deri më 6 tetor.
Lidhur me këtë çështje, pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të PDK-së, kryetari i saj Bedri Hamza ka thënë se pas vendimit të Hagës kanë ndërruar rrethanat dhe se si parti janë të gatshëm t’i përshtatin edhe qëndrimet. Më herët, ky subjekt pati përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me Vetëvendosjen për këtë çështje.
E Sala Jashari, deputete e PDK-së u ka bërë thirrje kolegëve të saj ligjvënës që t’i shmangin përplasjet, për t’i hapur rrugë unitetit politik.
“Me gjithë këto deklarata dhe përplasje publike mes deputetëve, uniteti bëhet gjithnjë e më i vështirë. Prandaj, edhe një herë, apeloj te secili dhe secila: dallimet politike janë pjesë e demokracisë, por gjuha dhe qasja jonë duhet të udhëhiqen nga përgjegjësia që kemi ndaj qytetarëve dhe shtetit”, ka thënë ajo.
E sipas gazetarit, Fitim Gashi, qëndrimi i kreut të PDK-së, Hamzës dhe deputetëve të kësaj partie paraqeset hapësirë të re për dialog politik dhe me këtë po dërgohet shenjë për gatishmëri për marrëveshje.
“Lëvizja Vetëvendosje do të duhej ta shfrytëzonte këtë sinjal dhe të kërkonte takime me Partinë Demokratike për të shikuar mundësinë e gjetjes së një zgjidhjeje ose arritjen e një marrëveshje. Kjo është edhe më e rëndësishme për shkak të situatës në të cilën ndodhet Kosova dhe do të ishte paradoksale që në njërën anë të kërkohet mbëshetje institucionale për ish-liderët e UÇK-së të dënuar në shkallën e parë në Hagë ndërsa në anën tjetër, vendi të hyjë në një cikël tjetër zgjedhor për shkak të pamundësisë së partive për t’u marrë vesh rreth presidentit”, ka thënë Gashi.
Më 16 shtator Specialja me seli në Hagë, në shkallë të parë, i shqiptoi dënim prej 81 vjet burgim Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.
Pas vendimit spektri politik përfshirë partinë në pushtet por edhe ato opozitare e cilësuan aktgjykimin e padrejtë dhe bënë thirrje për veprime institucionale në drejtim të vendosjes së drejtësisë.
Nëse në nëntë ditët e ardhshme nuk zgjidhet presidenti, vendi shkon në zgjedhje më së largu më 15 nëntor, që do të nënkuptonte zgjedhjet e treta të jashtëzakonshme në më pak se një vit.

