Gërvalla mohon bashkëpunimin me Specialen: S’kam heshtur, po angazhohemi për Apelin

3 Min. Leximi

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, i ka mohuar akuzat për bashkëpunim me Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke thënë se nuk ka pasur asnjë pikëtakim me Specialen, UNMIK-un apo EULEX-in, as drejtpërdrejt e as tërthorazi. Gërvalla ka deklaruar se nuk ka heshtur pas aktgjykimit dënues ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe se si ministre është angazhuar për përgatitjen e hapave ligjorë.

“Deklaratat që më lidhin me bashkëpunimin janë bërë bozë. Nuk ka në asnjë hallkë, as me UNMIK-un, as me EULEX-in, as me Gjykatën Speciale, nuk ka asnjë pikëtakim timin, as direkt, as indirekt”, ka thënë Gërvalla në një konferencë për media të shtunën.

Ajo ka kërkuar durim deri në publikimin e aktgjykimit të plotë, duke thënë se atëherë, sipas saj, do të bëhen të qarta faktet dhe do të mund të vlerësohen zhvillimet.

“E kam një shpresë, ata që kanë bërtitur më shumë në këtë lëmi, ata që më së shumti më kanë etiketuar, të paktën para pasqyrës të skuqen që nuk kanë dëgjuar faktet, por kanë zgjedhur t’i përsërisin gënjeshtrat që i kanë vetë në qarkullim”, ka deklaruar ajo.

Gërvalla ka thënë se nuk ka heshtur lidhur me aktgjykimin ndaj katërshes së UÇK-së, duke theksuar se reagimi i kryeministrit është bërë në emër të Qeverisë, ndërsa ajo, si ministre e Drejtësisë, është marrë me përgatitjet ligjore.
“S’kam heshtur, unë jam ministre e Drejtësisë. Kryeministri e ka bërë një reagim në emër të Qeverisë, ndërsa unë si ministre i jam futur punës me qëllim që të përgatitemi për një betejë, sepse Specialja është betejë ligjore, jo deklaratash në media”, ka thënë ajo.

Ajo ka shtuar se Kosova duhet të përgatitet me “kokë të ftohtë” për instancën e ardhshme dhe se çështjet që lidhen me Dhomat e Specializuara kërkojnë ekspertizë të lartë.
Gërvalla është pyetur edhe për kërkesat për dorëheqjen e saj në protesta, por ka thënë se nuk dëshiron t’i komentojë ato.

“Është e drejtë e secilit qytetar të kërkojë dorëheqjen e një ministri. Nuk i komentoj kërkesat për dorëheqje. Nuk ia ndaloj fjalën askujt”, ka deklaruar ajo.
Ministrja ka folur edhe për projektligjin e propozuar nga PDK-ja, që lidhet me ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, duke thënë se ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë po e analizojnë atë. Sipas saj, kur analiza të përfundojë, Ministria do t’ia dërgojë Qeverisë opinionin përkatës dhe kjo nuk do të vonojë.

“Më shumë se fjalë, kemi nevojë për bashkëpunim, analizë e ekspertizë që në fund të fitojë drejtësia”, ka thënë Gërvalla.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull