Sekretari i Përgjithshëm i BDI-së, Arbër Ademi, në konferencën e sotme për shtyp deklaroi se zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë më se të domosdoshme, përcjell TV21.
Ademi kritikoi deklaratat e ekzekutivit, që sipas tij, deklarojnë se mbajtja e zgjedhjeve do ta çonte shtetin drejt falimentimit, ndërkohë që në deklaratat e tjera e rendisin Maqedoninë e Veriut si vendin e tretë në Evropë për nga rritja ekonomike.
“Po shikoni, i keni dëgjuar eksponentët e qeverisë që thonë se Maqedonia është, për nga ekonomia, vendi i tretë në Evropë? I keni dëgjuar për rritjen ekonomike, apo jo? Këto deklarata janë publike. Dje dëgjuam të thonë: “Në qoftë se shkojmë në zgjedhje, shteti do të shkojë në bankrot”. Si bre? Një moment, Maqedonia është vendi i tretë në Evropë për nga rritja ekonomike, ndërsa të nesërmen jemi para bankrotit. A po e shihni se me çfarë kaste politikanësh kemi të bëjmë? Sa u përket zgjedhjeve të parakohshme, ne kemi thënë që nga fillimi, madje edhe në 100-ditëshin e kësaj qeverie, kur kemi bërë thirrje që të dalin nga institucionet. Ne nuk jemi gomë rezervë dhe nuk hyjmë në qeveri pas zgjedhjeve. Mirëpo, kjo qeveri dhe kjo situatë në këtë mënyrë qeverisjeje janë të panatyrshme. Nuk mundet, bre, të funksionojë një qeveri pa legjitimitetin e shqiptarëve. Kështu do të vazhdojë derisa të shpërthejë e gjithë situata. Prandaj, zgjedhjet e parakohshme janë më se të domosdoshme. Atë legjitimitet të vjedhur qytetarëve duhet t’ua kthejmë edhe njëherë, ndërsa qytetarët le të përcaktohen vetë”, tha Ademi.

