Levica dhe BDI bashkohen kundër shqipes, Shasivari ua theu tabunë 35-vjeçare

2 Min. Leximi

Levica dhe BDI, nga dy skaje të ndryshme politike, kanë dalë me kundërshtime ndaj mundësisë që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, një nismë e propozuar nga ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, e cila synon të ndryshojë një praktikë 35-vjeçare.

Levica ka akuzuar kryeministrin Hristijan Mickoski se „është gjunjëzuar para Shasivarit për gjuhën shqipe në provimin e jurisprudencës“, duke kërkuar tërheqjen e propozimit.

Në të njëjtën linjë kundërshtimi është pozicionuar edhe BDI-ja. Deputeti i kësaj partie, Arbër Ademi, duke folur për propozimin që provimi i jurisprudencës të mund të jepet në gjuhën shqipe, ka deklaruar: „Derisa të kemi frymë, do t’i ndalim këto ligje antishqiptare“.

Propozimi i Shasivarit ka hapur një kapitull të ri në çështjen e përdorimit të shqipes në provimin e jurisprudencës. Modeli i propozuar nga Ministria e Drejtësisë parasheh që pjesa teorike të jepet në gjuhën në të cilën kandidati ka përfunduar studimet, ndërsa pjesa praktike të zhvillohet në maqedonisht. Propozimi është dërguar për vlerësim në Komisionin e Venecias.

Kështu, Levica dhe BDI, ndonëse me retorikë dhe pozicione të ndryshme politike, kanë shprehur kundërshtime ndaj avancimit të përdorimit të gjuhës shqipe në këtë proces.

Për 35 vjet, kjo çështje ka mbetur pa zgjidhje, ndërsa tani debati është përqendruar te modeli i propozuar dhe shtrirja e përdorimit të shqipes.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull