Narko-testi për politikanët: Pse ligji nuk i detyron?

5 Min. Leximi

Avokati Asdren Bytyqi vlerësoi se mungesa e një baze ligjore e bën të pamundur vendosjen e detyrueshme të testimit për zyrtarët publikë. “Kjo çështje nuk është e rregulluar me ligj dhe rrjedhimisht, përderisa nuk është temë aktuale publike e politike që të përfshihet si një kusht paraprak për të gjithë zyrtarët publikë, atëherë ligji, përderisa nuk obligon diçka ose nuk përcakton ndryshe, çdo gjë tjetër e lejon”, tha Bytyqi

Një nismë për t’i nënshtruar zyrtarët publikë në Kosovë testit të narkotikëve ka nisur të diskutohet në skenën politike, me synimin që një masë e tillë të rrisë transparencën dhe besimin e qytetarëve në institucionet publike. Iniciativa është ngritur nga deputeti i zgjedhur i Aleancës, Burim Ramadani, ndonëse aktualisht nuk ekziston bazë ligjore që deputetët, ministrat apo zyrtarët e tjerë të lartë publikë t’i detyrojë t’i nënshtrohen një testi të tillë. Më pas, kësaj iniciative iu bashkua edhe deputetja e zgjedhur e AAK-së, Time Kadrijaj, e cila publikoi rezultatin negativ të testit të saj dhe kërkoi që testimi të bëhet i detyrueshëm për zyrtarët publikë.

Pavarësisht mungesës së një detyrimi ligjor dhe faktit se nisma nuk ka gjetur përkrahjen e deputetëve të zgjedhur dhe përfaqësuesve të institucioneve, një veprim i tillë do të mund të përcillte një mesazh të fortë për transparencë dhe përgjegjshmëri para qytetarëve. Në një kohë kur besimi i qytetarëve në institucionet publike mbetet një nga çështjet e rëndësishme të debatit publik, testimi vullnetar i zyrtarëve do të mund të shihej si një hap simbolik drejt rritjes së transparencës dhe llogaridhënies.

ÇËSHTJE E PARREGULLUAR ME LIGJ

Avokati Asdren Bytyqi vlerësoi për Albanian Post se mungesa e një baze ligjore e bën të pamundur vendosjen e detyrueshme të testimit për zyrtarët publikë. “Kjo çështje nuk është e rregulluar me ligj dhe rrjedhimisht, përderisa nuk është temë aktuale publike e politike që të përfshihet si një kusht paraprak për të gjithë zyrtarët publikë, atëherë ligji, përderisa nuk obligon diçka ose nuk përcakton ndryshe, çdo gjë tjetër e lejon”, tha Bytyqi për Albanian Post.

Sipas tij, edhe nëse një zyrtar publik ka në organizëm gjurmë të substancave narkotike, kjo nuk mund të trajtohet në kuptimin e detyrimit për testim, për sa kohë nuk ekziston një dispozitë ligjore që e rregullon këtë çështje.

“Përderisa nuk ka ligj, nuk rrjedh asnjë obligim për zyrtarët publikë, ministrat apo deputetët që t’i nënshtrohen narko-testit”. Ndërsa, njohësi i çështjeve të drejtësisë, Florim Shefqeti, tha për Albanian Post se konsideron se testimi nuk do të përbënte shkelje të privatësisë nëse do të parashihej me ligj. “Në Kosovë kërkohet vetëm certifikata mjekësore. Nuk cenohet privatësia nëse i nënshtrohen testit, sepse nëse vërtetohet konsumimi i substancave të ndaluara, kjo paraqet vepër penale”, tha Shefqeti për Albanian Post. Ai potencoi se testimi duhet të bëhet pjesë e obligimeve ligjore për zyrtarët publikë. “Mendoj se kjo do të duhej të ishte detyrim ligjor dhe të përsëritej periodikisht, për shembull çdo vit”.

ÇFARË ËSHTË NARKO-TESTI?

Narko-testi është një procedurë mjekësore dhe laboratorike që përdoret për të zbuluar praninë e substancave narkotike ose gjurmëve të tyre në organizmin e një personi. Përmes këtij testimi mund të identifikohen substanca të ndryshme, si kanabisi, kokaina, amfetaminat, opiatet dhe droga të tjera të ndaluara.

Testimi kryhet zakonisht duke analizuar mostra të urinës, gjakut, pështymës ose flokëve. Lloji i mostrës përcakton edhe periudhën kohore gjatë së cilës mund të konstatohet përdorimi i substancave narkotike. Për shembull, analizat e urinës janë ndër metodat më të përdorura, ndërsa testet e flokëve mund të evidentojnë përdorimin e drogës për një periudhë më të gjatë kohore.

Narko-testet përdoren në institucione shëndetësore, procedura gjyqësore dhe hetime penale, si dhe në sektorë të caktuar ku kërkohet nivel i lartë përgjegjësie dhe sigurie. Rezultatet e tyre mund të shërbejnë si tregues nëse një person ka konsumuar substanca narkotike, por në raste të caktuara nevojiten analiza shtesë laboratorike për konfirmimin përfundimtar të rezultatit. (Albanian Post)

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull