Përveç qytetarëve dibranë, të cilët kryejnë trajtime stomatologjike gjatë gjithë vitit, sidomos në sezonin veror kur shfrytëzojnë pushimet, një numër i madh mërgimtarësh vizitojnë vendlindjen edhe për të rregulluar dhëmbët e tyre
Vjollca SADIKU
Dibër, 28 korrik – Turizmi dentar në Dibër po shënon rritje të vazhdueshme, duke e kthyer qytetin në një nga destinacionet më të kërkuara për trajtime stomatologjike, veçanërisht nga mërgimtarët. Klinikat dentare gjatë gjithë vitit presin pacientë nga vendet evropiane, ndërsa muajt qershor dhe korrik karakterizohen nga ardhja e mërgimtarëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët vizitat në vendlindje i shfrytëzojnë edhe për kujdesin ndaj shëndetit të dhëmbëve. Dibra dhe rrethina e saj njihen për turizmin banjar, liqenor dhe malor, por vitet e fundit qyteti po përmendet gjithnjë e më shumë edhe si një qendër e zhvilluar e turizmit dentar. Edhe pse, sipas regjistrimit të fundit, Dibra ka pak më shumë se 15 mijë banorë, në të veprojnë mbi 10 ordinanca dentare. Pikërisht ky fakt dëshmon se gjatë dekadës së fundit ky sektor ka shënuar një zhvillim të konsiderueshëm.
Përveç qytetarëve dibranë, të cilët kryejnë trajtime stomatologjike gjatë gjithë vitit, sidomos në sezonin veror kur shfrytëzojnë pushimet, një numër i madh mërgimtarësh vizitojnë vendlindjen edhe për të rregulluar dhëmbët e tyre. Kjo ndodh për shkak të kostos shumë më të lartë të trajtimeve dentare në vendet ku ata jetojnë.
Sipas stomatologëve, Dibra është bërë e veçantë në këtë fushë falë numrit të madh të ordinancave dentare dhe konkurrencës së ndershme mes tyre. Pikërisht kjo konkurrencë i ka shtyrë klinikat të investojnë vazhdimisht në pajisje moderne, materiale cilësore dhe ngritjen profesionale të stafit. Njëkohësisht, ato ofrojnë çmime konkurruese, të cilat konsiderohen ndër më të favorshmet në rajon. Stomatologu i njohur dibran, Emin Vërzivolli, thekson se pacientët zgjedhin Dibrën jo vetëm për çmimet më të ulëta krahasuar me vendet ku jetojnë, por edhe për cilësinë e lartë të shërbimeve. “Të gjithë dentistët dibranë përdorin materiale të cilësisë së lartë dhe teknologji bashkëkohore, duke ofruar trajtime që plotësojnë standardet ndërkombëtare”, thotë stomatologu Emin Vërzivolli.
Bashkëbiseduesi ynë shton se për shumë mërgimtarë trajtimet dentare janë bërë pjesë e pandashme e pushimeve verore. Ata arrijnë të kryejnë kontrolle, implante, kurora, ura dhe ndërhyrje të tjera profesionale me kosto shumë më të ulët se në vendet ku jetojnë, pa bërë kompromis me cilësinë.
Arsim Q., i cili jeton dhe punon në Bruklin, thotë se edhe cilësia e shërbimeve është në nivel të lartë. “Erdha në Dibër për t’i takuar prindërit e mi, por edhe për të rregulluar dhëmbët. Përveç çmimeve shumë të favorshme për ne mërgimtarët, edhe cilësia e shërbimeve është në nivel shumë të lartë”, thotë Arsimi.
Specialistët vlerësojnë se, falë cilësisë së shërbimeve, profesionalizmit të mjekëve dhe çmimeve konkurruese, Dibra po e forcon çdo vit e më shumë reputacionin si një qendër e rëndësishme e turizmit dentar në rajon. Ky trend është në përputhje me rritjen e interesit për turizmin në Maqedoninë e Veriut dhe zhvillimin e shërbimeve cilësore që tërheqin vizitorë nga jashtë. Turizmi dentar po ndikon pozitivisht edhe në ekonominë lokale. Përveç klinikave stomatologjike, përfitojnë edhe hoteleria, gastronomia dhe bizneset e tjera, pasi pacientët dhe familjarët e tyre kalojnë disa ditë në qytet. (koha.mk)

