Panairi i Artizanateve në Tetovë, Shitësit: Puna e dorës vlerësohet shumë pak në vendin tonë

3 Min. Leximi

Për të tretin vit me radhë, rruga e artizanëve në Tetovë u mbush me ngjyra, punime dore dhe elemente tradicionale.

Rreth 40 shitës e prodhues nga vendi dhe rajoni i pranishëm i zbuluan produktet e tyre për qytetarët, me synim që të ruajnë traditën shumëvjeçare.

Pjesëmarrësit në panair shprehen të kënaqur me interesimin e qytetarëve. Disa prej tyre prej dekadash merren me përpunimin e ushqimeve tradicionale, duke depërtuar edhe në tregjet e huaja.

“Kemi traditë 22 vjeçare. Kemi turshi, ajvar me gjithë sasitë e tyre sipas Europës. Bëjmë shpërndarjen jashtë shtetit 70% të mallit, prodhim vendor. Gjithashtu kemi edhe keçapin. Keçapin e kemi… dhe kastravecët i prodhojmë vetë. Si në fushë, deri në prodhim final.”

Përveç ushqimit, panairi shërbeu edhe si hapësirë për promovimin e punës sociale dhe integrimit. Një pjesë e punimeve të ekspozuara u realizuan nga të rinjtë përmes terapisë së punës, me fokus te riciklimi.
“Siç mund të shikoni këtu, këtu ka mjete ose punime me materiale ricikluese. I japim prioritet riciklimit. Këto punime janë bërë në atelienë e qendrës nga një grup të rinjsh… mbi moshën 22 vjeç, 11 të rinj, të cilët zhvillojnë terapinë e punës aty në qendër dhe bëjnë punime të ndryshme.”

“Këto punëtore i bëj vetë, me shtiza ose me grep. Çorape, çanta, komplete, çorape për fëmijë… çdo gjë. Punime me dorë, me grep. Shumë edhe i blejnë. Por nuk vlerësohet shumë puna e dorës. Duan lirë, nuk e duan… sepse do kohë bëhet. Për shembull një palë çorape… me të pakën. Por gjithsesi ka klientë, shiten.”

Kreu i Tetovës, Bilall Kasami, theksoi se qëllimi i këtij organizimi është rikthimi i identitetit të kësaj zone dhe ndihma ndaj artizanëve që pasionin ta kthejnë në ekonomi familjare.

“Në këtë panair këtë vit marrin pjesë mbi 40 ekspozues, njerëz të cilët merren me këtë profesion më shumë nga dëshira dhe dashuria që kanë për këtë profesion se sa nga aspekti komercial. Prandaj edhe ne mundohemi që përmes këtyre promovimeve të punimeve të tyre, t’u ndihmojmë që nga një dashuri për profesionin të bëhet edhe një biznes familjar”, tha Kasami.

Pavarësisht sfidave të tregut, Panairi i Artizanateve në Tetovë vazhdon të mbetet një platformë e rëndësishme për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe nxitjen e sipërmarrjes vendore.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull