Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, mbërriti sot në Kiev për të marrë pjesë në Samitin Ukrainë – Evropa Juglindore, që mbahet me rastin e Ditës së Shtetësisë së Ukrainës.
Pas mbërritjes në Ukrainë, ministri Sali u prit nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, Oleksandr Mishçenko, ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Ukrainë, Dimitar Blazhevski, si dhe nga përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Ukrainës dhe zyrtarë të tjerë të lartë.
“Pjesëmarrja e zëvendëskryeministrit të parë në këtë samit është konfirmim i mbështetjes së vazhdueshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut për Ukrainën, sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin e saj territorial, si dhe për perspektivën e saj evropiane”, njoftuan nga kabineti i tij.
Gjatë qëndrimit në Kiev, Sali do të marrë pjesë në seancën plenare të Samitit Ukrainë – Evropa Juglindore, ku, sipas Ministrisë për Çështje Evropiane, do të riafirmojë gatishmërinë e Maqedonisë së Veriut për të vazhduar mbështetjen ndaj Ukrainës dhe për të ndarë përvojën dhe ekspertizën e fituar gjatë procesit të integrimit evropian.
Samiti mbledh liderë dhe përfaqësues të lartë nga Ukraina dhe vendet e Evropës Juglindore, me fokus forcimin e bashkëpunimit rajonal, mbështetjen për Ukrainën dhe avancimin e agjendës së saj evropiane.

