Pas disperzimit të Njësisë së zjarrfikësve në Tearcë dhe Zhelinë, vazhdojnë përpjekjet që disperizimi të vazhdojë edhe në Komunën e Bogovinës. Këtë e theksoi komandanti i Njësisë së zjarrfikësve në Tetovë, Avni Ameti, gjatë shënimit të 20 Majit, Ditës së zjarrfikësve. Sipas tij, njësia e zjarrfikësve në Tetovës ka nevojë edhe për më shumë zjarrfikës, për shkak se mbulon një territor mjaft të gjerë.
“Ne kemi të punësuar 77 zjarrfikës profesional,13 tjerë janë vullnetarë të cilët janë në përgatitje e sipër që të bëhen zjarrfikës, ndërsa katër zjarrfikës tashmë i kemi edhe në njësisë e themeluar në komunën e Bogovinës. Kemi nevojë për më shumë të punësuar. Arsyeja është se mbulojmë një territor mjaft të madh, sepse dihet që mbulojmë Komunën e Tetovës dhe pesë komuna rurale, prandaj edhe punojmë që të bëjmë sa më shumë dipserzime që të jemi sa më afër qytetarëve”, deklaroi Ameti. Ai është shprehur se Njësisë së zjarrfikësve në Tetovë i mungojnë rreth 30 zjarrfikës që të jetë më i kompletuar, kjo bazuar në numrin e banorëve.
“Në bazë të numrit të banorëve, Njësisë së zjarrfikësve në Tetovë i mungojnë edhe 30 zjarrfikës. Gjatë tërë kohës kemi kërkuar që të shpallemi si brigadë e zjarrfikësve dhe jemi shumë afër që kjo të ndodhë, ndërsa më pas shpresojmë që të bëjmë edhe sistematizimin e vendeve të punës”, sqaroi më tej Ameti.
Ndërkaq, sa i përket automjeteve dhe pajisjeve për shuarjen e zjarreve, Njësia e zjarrfikësve në Tetovë ka një numër të mjaftueshëm të automjeteve, por të njëjtat janë të vjetruara, prandaj edhe komandanti Ameti apelon që shteti të sigurojë automjete të reja, sidomos nevoja më e madhe është për vetura të zjarrfikësve për në terrene të papërshtatshme. Ai ka bërë të ditur se janë në pritje edhe të një donacioni nga Austria dhe ato automjete do të dedikohen për njësinë e zjarrfikësve të disperzuar në Komunën e Bogovinës. Zjarrfikësit e Tetovës që nga fillimi i vitit e deri më tani kanë intervenuar në shuarjen e 320 zjarreve në rajonin e Tetovës dhe më gjerë, ndërsa pjesa më e madhe e intervenimeve kanë të bëjnë me ndezjen e mbetjeve në prona bujqësore.
Krahas aktiviteteve në shuarjen e zjarreve, pjesëtarët e Njësisë së zjarrfikësve në Tetovë intervenojnë edhe gjatë problemeve që shfaqen kur ka përmbytje nga reshjet te shiut dhe bllokohen vetura ose qytetarë. Përveç kësaj, ekipet e zjarrfikësve të Tetovës intervenojnë edhe gjatë aksidenteve të trafikut, kur haset në vështirësi për të nxjerrë qytetarët nga veturat e aksidentuara. Koha

