Tenderët nuk fitohen vetëm me çmim të ulët

5 Min. Leximi

Me dispozitat e reja zgjerohen kompetencat e Byrosë së Prokurimeve Publike për përdorimin e mjeteve bashkëkohore digjitale, përfshirë zgjidhjet që bazohen në inteligjencën artificiale. Përmes tyre synohet ndjekja më efikase e procedurave, zbulimi në kohë i rreziqeve dhe identifikimi i parregullsive që mund të sinjalizojnë keqpërdorime

Shkup, 27 tetor – Çmimi më i ulët nuk do të mjaftojë për të fituar një tender. Institucionet do të duhet të vlerësojnë edhe cilësinë dhe arsyeshmërinë afatgjatë të asaj që blejnë me paratë publike, ndërsa kontrolli i procedurave do të mbështetet edhe në mjete digjitale dhe inteligjencë artificiale. Këto janë ndër risitë kryesore të ndryshimeve në Ligjin për Prokurimet Publike, të miratuara nga Parlamenti, me të cilat synohen më shumë transparencë, konkurrencë dhe përgjegjësi në shpenzimin e mjeteve të qytetarëve.

Një nga ndryshimet kryesore është përdorimi i detyrueshëm i kriterit “raporti më i mirë ndërmjet çmimit dhe cilësisë”. Kjo do të thotë se përzgjedhja e ofertës më të favorshme nuk do të mbështetet vetëm te shuma që kërkon një kompani, por edhe te cilësia dhe arsyeshmëria e blerjes në afat të gjatë. Sipas Ministrisë së Financave, ndryshimet burojnë nga përvoja e deritanishme në zbatimin e ligjit, kushtet e ndryshuara ekonomike dhe detyrimet reformuese që lidhen me Agjendën e Reformave dhe Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

Me dispozitat e reja zgjerohen kompetencat e Byrosë së Prokurimeve Publike për përdorimin e mjeteve bashkëkohore digjitale, përfshirë zgjidhjet që bazohen në inteligjencën artificiale. Përmes tyre synohet ndjekja më efikase e procedurave, zbulimi në kohë i rreziqeve dhe identifikimi i parregullsive që mund të sinjalizojnë keqpërdorime. Megjithatë, një parregullsi e identifikuar nga këto mjete nuk përbën automatikisht dëshmi se është kryer keqpërdorim. Ligji krijon edhe bazën juridike për vendosjen e shërbimeve elektronike dhe shkëmbimin automatik të të dhënave me institucione dhe subjekte të tjera relevante. Kjo duhet të zvogëlojë nevojën për mbledhjen manuale të të dhënave dhe të lehtësojë kontrollin e prokurimeve publike.

Më shumë transparencë parashikohet edhe në procedurat me negocim pa publikim paraprak të shpalljes. Në rastet e përcaktuara me ligj, institucionet do të kenë detyrimin të publikojnë njoftimin për transparencë paraprake vullnetare. Pavarësisht emërtimit të këtij njoftimi, publikimi i tij do të jetë i detyrueshëm në rastet përkatëse, duke i dhënë publikut dhe kompanive më shumë informacion për këto procedura të veçanta.

Ndryshimet përfshijnë gjithashtu thjeshtimin e disa procedurave administrative, me qëllim që prokurimet të zhvillohen më shpejt dhe informacionet të jenë më të qasshme për kompanitë e interesuara. Vëmendje i kushtohet edhe avancimit të Tregut Elektronik për prokurimet me vlerë të vogël. Synimi është që ky mekanizëm të përdoret më gjerësisht dhe të nxisë konkurrencën mes kompanive. Institucionet pritet t’i realizojnë më lehtë blerjet e kësaj kategorie, ndërsa bizneset të kenë më shumë mundësi për të marrë pjesë në procedura.

Risi ka edhe për punonjësit që merren me prokurimet publike. Në vend të rinovimit periodik të certifikatave përmes dhënies së sërishme të provimit, vendoset sistemi i përsosjes së vazhdueshme profesionale. Qëllimi është që nëpunësit t’i përditësojnë njohuritë dhe t’i ndjekin ndryshimet në legjislacion dhe në praktikën e prokurimeve. Me ndryshimet ligjore përshtaten edhe pragjet e vlerës për zbatimin e ligjit, duke marrë parasysh kushtet ekonomike dhe rritjen e kostove. Rishikohen gjithashtu tarifat për procedurën e ankimimit, ndërsa, sipas Ministrisë së Financave, synohet ruajtja e mbrojtjes juridike të qasshme dhe efikase.

Ndryshimet janë pjesë e reformave më të gjera për modernizimin e sistemit të prokurimeve publike dhe përafrimin e tij me standardet evropiane. Efekti i pritshëm është më shumë konkurrencë ndërmjet ofertuesve, kontroll më efikas dhe administrim më i përgjegjshëm i parave publike. (koha.mk)

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull