ASH: Stojilkoviqi duhet të përgjigjet për gjuhën denigruese ndaj një gruaje

3 Min. Leximi
Screenshot

Sjellja arogante, përçmuese dhe e papërgjegjshme Ivan Stoilkoviqit dje në Kuvend nuk mund dhe nuk duhet të trajtohet si normale. Ajo është një sjellje e patolerueshme që pasqyron një mënyrë veprimi të përsëritur, ku në vend të debatit dhe argumenteve zgjidhen fyerjet, provokimet dhe tensionimi i situatës. Kur një përfaqësues publik arrin deri në konfrontime verbale me fjalë përçmuese dhe denigruese sidomos ndaj një gruaje, kjo tregon qartë mungesë respekti jo vetëm ndaj kolegëve, por edhe ndaj institucionit që përfaqëson dhe institucionit më të lartë ligjvënës në vend.Kjo sjellje dhe kjo gjuhë urrejtjeje nuk mund të kalojnë pa pasoja duhet të marrin ndëshkimin e merituar. Prandaj, u bëjmë thirrje organeve kompetente, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Prokurorisë, që të veprojnë sa më parë, në përputhje me ligjin.

Fakti që kësaj radhe objekt i sulmeve verbale ishte një grua e bën ngjarjen edhe më shqetësuese. Asnjë grua nuk duhet të përballet me gjuhë denigruese apo poshtëruese për shkak të angazhimit të saj politik. Respekti për dinjitetin e grave nuk duhet të varet nga bindjet politike, por të jetë një parim i panegociueshëm.

Demokracia nuk ndërtohet me ofendime dhe kërcënime, por me kulturë dialogu dhe respekt të ndërsjellë. Kur fjalori fyes zë vendin e argumenteve, dëmtohet seriozisht klima politike dhe dërgohet një mesazh i gabuar për çdo grua që dëshiron të kontribuojë në jetën publike.

Retorika dhe sjellja e Stoilkoviqit krijojnë përshtypjen e një politikani që vepron me bindjen se nuk do të përballet me pasoja. Pikërisht kjo ndjenjë paprekshmërie është ajo që ushqen arrogancën dhe e bën të përsërisë të njëjtën sjellje.

Institucionet dhe Qeveria kanë detyrimin të reagojnë qartë dhe pa asnjë hezitim ndaj çdo forme të fyerjes dhe gjuhës së urrejtjes. Heshtja ose relativizimi i rasteve të tilla nuk ndihmojnë në mbrojtjen e demokracisë, por krijojnë përshtypjen se sjellje të tilla tolerohen.Qëndrimi ndaj çdo sulmi verbal apo poshtërimi të grave duhet të jetë i njëjtë, pavarësisht se kujt force politike i përkasin ato apo autori i sulmit. Respekti, barazia dhe dinjiteti nuk janë çështje partiake, por vlera themelore që duhet të mbrohen gjithmonë.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull