Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali, e ka cilësuar nënshkrimin e marrëveshjes për fillimin e punimeve të autostradës Shkup-Bllacë si një moment historik për shqiptarët dhe realizim të një ëndrre të kahmotshme.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, Sali tha se pas shumë dekadash pritjeje, padrejtësish dhe premtimesh të pambajtura, është nënshkruar zyrtarisht marrëveshja për nisjen e punimeve në një prej projekteve më të mëdha infrastrukturore në vend.
“Pas shumë dekadash pritjeje, padrejtësish dhe premtimesh të pambajtura, sot në Qeverinë e RMV-së u nënshkrua zyrtarisht marrëveshja për fillimin e punimeve të rrugës Bllacë-Shkup. Bëhet fjalë për një investim kapital me vlerë mbi 200 milionë euro, një nga projektet më të mëdha infrastrukturore që do ta ndryshojë qarkullimin dhe zhvillimin ekonomik të rajonit”, ka shkruar Sali.
Ai theksoi se kjo autostradë ka rëndësi të veçantë jo vetëm për infrastrukturën, por edhe për lidhjen mes shqiptarëve dhe zhvillimin ekonomik.
“Kjo nuk është vetëm një rrugë. Kjo është një arterie që afron shqiptarët, lidh familjet, forcon ekonominë dhe hap perspektivë të re për brezat që vijnë. Patriotizmi i vërtetë nuk matet me fjalë, por me vepra që mbeten. Sot po shkruhet një faqe e re për shqiptarët në rajon. Prishtina dhe Shkupi më afër, shqiptarët më të lidhur dhe e ardhmja më e sigurt”, ka përfunduar Sali.

