Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, gjatë vizitës së tij në Strugë, zhvilloi takime me përfaqësues të bizneseve lokale, duke riafirmuar përkushtimin e Ministrisë për mbështetjen e sektorit privat dhe nxitjen e investimeve.
Pas takimit në Komunën e Strugës, ministri Durmishi, i shoqëruar nga kryetari i komunës, Mendi Qyra, dhe deputeti Bekim Qoku, vizitoi kompanitë COMA DESIGN, CINEMA dhe NABIZI, ku u njoh nga afër me aktivitetin e tyre, sfidat me të cilat përballen dhe planet për zhvillim të mëtejshëm.
Gjatë takimeve, ministri Durmishi i informoi bizneset për mundësitë që ofron Ligji për Mbështetje Financiare të Investimeve, i cili zbatohet nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës dhe ka për qëllim të mbështesë kompanitë që investojnë në zgjerimin e kapaciteteve, modernizimin e proceseve të punës, rritjen e eksportit dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
“Qëllimi ynë është të jemi partner i biznesit. Përmes Ligjit për Mbështetje Financiare të Investimeve, kompanitë kanë në dispozicion instrumente konkrete për të realizuar planet e tyre zhvillimore dhe për të rritur konkurrueshmërinë në treg. Institucionet duhet të jenë pranë sipërmarrësve dhe të krijojnë kushte që investimet të kthehen në zhvillim ekonomik dhe punësim”, theksoi ministri Durmishi.
Ai shtoi se vizitat në terren janë pjesë e angazhimit të Ministrisë për të dëgjuar drejtpërdrejt nevojat e komunitetit të biznesit dhe për të hartuar politika që adresojnë sfidat reale të ekonomisë.
Vizita në Strugë është pjesë e aktiviteteve të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës për forcimin e bashkëpunimit me sektorin privat dhe promovimin e masave që mbështesin investimet dhe zhvillimin ekonomik në të gjitha rajonet e vendit.

