Partia në pushtet VLEN ka reaguar ashpër ndaj BDI-së lidhur me çështjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke e akuzuar për dështim shumëvjeçar dhe favorizim politik.
Nga VLEN thonë se BDI ka pasur në dorë zgjidhjen e këtij problemi për vite me radhë, por nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret.
“BDI mendon se turpi mbulohet me zhurmë. Por provimi i jurisprudencës nuk zgjidhet me britma e me rrena. Zgjidhet me punë”, thuhet në reagim.
Sipas tyre, përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi ish-ministrat e Drejtësisë nga radhët e BDI-së, përfshirë Blerim Bexhetidhe Adnan Jashari, të cilët kishin mandat dhe kompetenca, por jo vullnet për të zgjidhur çështjen në favor të studentëve shqiptarë.
VLEN akuzon gjithashtu për standarde të dyfishta, duke përmendur rastin e djalit të Talat Xhaferi, për të cilin pretendohet se ka kaluar provimin e jurisprudencës pa përfunduar studimet.
“Për studentët shqiptarë nuk kishte zgjidhje në gjuhën shqipe, ndërsa për djalin e funksionarit të BDI-së sistemi funksiononte”, theksojnë nga kjo parti.
Në reagim kërkohet që Adnan Jashari të japë përgjegjësi publike për moszgjidhjen e këtij problemi gjatë mandatit të tij.
VLEN thekson se aktualisht është duke ndërmarrë hapa konkretë për ta zgjidhur këtë çështje në mënyrë sistematike.
“Provimi i jurisprudencës në shqip është vetëm fillimi. Të gjitha provimet profesionale do të mund të jepen edhe në gjuhën shqipe”, thuhet në deklaratë.
Në fund, nga kjo parti theksojnë se qytetarët nuk kanë më nevojë për premtime, por për zgjidhje konkrete.
“Studentët kanë hall. BDI ka hesape. Shqiptarët nuk duan më zhurmë. Duan zgjidhje, e zgjidhja po vjen”, përfundon reagimi.

