Kryetari i degës së ASH-së në Gazi Babë, Besim Jahi ka njoftuar largimin e tij nga Aleanca për Shqiptarët, duke theksuar se vendimi vjen pas pakënaqësive të vazhdueshme me qasjen dhe mënyrën e funksionimit të kryesisë së lartë të partisë, përcjell Zyrtare.
Në një postim publik, Jahi tha se pas një rrugëtimi me përkushtim dhe angazhim në Aleancën për Shqiptarët, ka vendosur që misioni i tij politik në kuadër të kësaj partie të përfundojë.
Ai theksoi se mungesa e mbështetjes dhe mosvlerësimi i angazhimit të strukturave lokale kanë ndikuar që të humbasë besimin se mund të vazhdojë të kontribuojë në mënyrën që e ka konsideruar të drejtë dhe të ndershme.
Jahi rikujtoi edhe angazhimin e tij në zgjedhjet e fundit lokale, ku udhëhoqi procesin zgjedhor në komunën e Gazi Babës në kuadër të koalicionit AKI, duke theksuar se falë punës dhe mbështetjes së aktivistëve u arrit sigurimi i një këshilltareje në komunë.
Në fund të reagimit, ai falënderoi anëtarët, aktivistët, simpatizantët dhe partnerët e koalicionit për bashkëpunimin dhe mbështetjen gjatë gjithë angazhimit të tij politik, duke u uruar suksese në të ardhmen.

