Nga Ermir Hoxha: Nëse investimi në Zvërnec e ndal shpopullimin, le të bëhet…

5 Min. Leximi

Nëse e ngushtojmë debatin mbi Zvërnecin vetëm në terma ekonomikë, po, do ia vlente ta bëjmë këtë gjë. Dhe le ta bëjmë.

Katër milliard eurot e pretenduara për investim turistik aty janë vërtet joshëse, edhe pse është një shifër deri diku irracionale. Së paku të sillet një model reference nga bota se ku është bërë më herët një investim kaq shokues. Dhe padyshim, ç’efekt ka patur në ekonominë përreth. E pason këtë shifër marramendëse punësimi i dhjetë mijë njerëzve. Edhe kjo është në kufijtë e irracionales, se dreqi e morri nuk do jetë ndonjë linjë prodhimi e industrisë së rëndë. Megjithatë le ta besojmë. Në fund, me çfarë duhet të matet ky investim? Në kushtet e Shqipërisë, padyshim me atë që është kryefjala e dhimbjeve sot për vendin tonë: shpopullimi. Nëse investimi aty e ndalon atë, le të bëhet. Kjo është një llogari e thjeshtë dhe tejet kuptimplote. Pra, le të na jepet kjo garanci më parë, me prova dhe në mënyrën më bindëse të mundshme, edhe pse gati e pamundur. Pse? Sepse deri më tani, asgjë, asnjë lloj reforme apo investimi, nuk e ka ndaluar këtë flamë, këtë gjëmë, e cila po ia heq këtij vendi një superpasuri që e kishte gjithsesi, njeriun. A nuk duket kështu kur kthen kokën pas, deri në 2015-ën? Ishim në një mizerje vërtet, krahasuar me sot, në aspekt estetik apo infrastrukturor, por jeta gjallonte, qytetet gjallonin.

Në vështrim të parë, pa u futur në teori të frikshme konspirative, ku Shqipëria edhe dukshëm është shënjestruar nga Izraeli për të ndërtuar këtu një atdhe rezervë në rrethana të reja gjeopolitike, të cilat paraprihen nga investime të tilla dehëse për popullatat, Zvërneci vërtet ngjan se mund të jetë një zgjidhje ideale ekonomike, por provë për këtë ama nuk kemi. E kundërta, çdo pretendim për aksh rrugë, për aksh bujtinë, për aksh hoteleri, për aksh investim, tej zonave të mëdha urbane ku janë përqendruar bizneset e mëdha, nuk ofron asnjë bilanc pozitiv.

Le të marrim dy projekte të shpallura dhe promovuar bujshëm: Rilindjen Urbane dhe “100 Fshatrat”. Nëse prej tyre do kishte tregues të fuqishëm ekonomikë, nëse ato në finale do kishin frenuar shpopullimin, Rama sot do e tundte si kartë të fortë në mbrojtje të kartës së Zvërnecit. Por nuk e ka. Dhe ngaqë nuk e ka, sajon mitin më idiot të mundshëm, atë të kinse flamurit të Skënderbeut dhe Ismalit Qemalit në BE(!!!).

Më troç, brenda një debati thjesht ekonomik, Zvërneci këkon prova, prova nga 13 vite qeverisje. Prova rezultatesh pas një investimi. Se nëse dhe prurjet turistike të viteve të fundit përdoren si kartë suksesi nga ai, edhe ato në finale duhet të maten me atë që dhemb më shumë: shpopullimin. Këtu më pas hapet tjetër debat, ai i meritës për turizmin në vlim. Nuk është krejt meritë e qeverisë, pasi është trend botëror. Është aq trend madje, sa disa vende po marrin masa dhe hartojnë politika për frenim kundër dyndjeve me efekte anësore. Mbi të gjitha, turizimi ynë nuk e ka fuqizuar sektorin më të ndjeshëm dhe më rënie drastike: bujqësië e blektorinë, pra fshatin.

Fjala vjen, si është është e mundur që turizmi në Vlorë nuk e ka shndërruar Labërinë, Lumin e Vlorës, zonën me traditën më blektorale të Shqipërisë, në një kombinat mishi në natyrë?!  A ka qeveria ndonjë bilanc që kjo të ketë ndodhur? Jo, nuk e ka. Ndryshe do e promovonte. Edhe pse me një rrugë të re model, një bravo për Ramën, Lumi i Vlorës ofron një trishtim blektoral mes një bukurie e pasurie natyrore këndellëse. Edhe aty, fshati, ekonomia fshatare, është në asfiksi.

Vijmë te Saranda e Ksamili, dy vatra të vlimit turistik në katër muaj, me një konsum të çmendur. Bujqësia dhe blektoria përreth, gati inekzistente, me lëndina bosh e fusha djerrë, me fshatin në zbrazje. E njëjta gjë në qytete me identitet turistik: Gjirokastra, Korça, Berati.

Atëherë, për ç’Zvërnec ekonomik po flasim?!

 

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull