Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, prezantoi rezultatet e punës së Komisionit të Huaj për hulumtimin e ndërhyrjeve kardiologjike dhe kardiokirurgjike në Maqedoninë e Veriut, përcjell TV21. Ai tha se Komisioni i huaj ka konstatuar gjetje të dyshimta te 9 pacientë, lidhur me dyshimet për operacione të panevojshme.
“Nga gjithsej 13 lëndë, të analizuara në lidhje me dyshimet për operacione të kryera pa nevojë, ose për udhëzime të panevojshme për operacione. Komision i huaj, për 4 pacientë konstatoi se, citoj: Trajtimi i ofruar në tërësi, ka qenë mjekësisht i përshtatshëm, në kohë dhe në përputhje me standardet e pranuara të praktikës klinike në botë. Për 9 pacientë të tjerë, sipas ekspertëve të huaj, po citoj…thotë kështu: Dokumentacioni tregon rezultate të dyshimta gjatë evaluimit diagnostik, psh: mospërputhje ndërmjet rezultateve angiografike nga koronokrafia dhe raportit të shkruar, pas së cilës, ka pasur indikacion të papërshtatshëm për procedura, qoftë endokrino vaskulare, apo kirurgjikale. Lidhur me këto raste, Komisioni vlerëson se, citoj: Disa aspekte të trajtimit dhe të menaxhimit me pacientin, kanë qenë nën standardin e pritur profesional dhe mund të kenë ndikuar negativisht në rezultatin klinik të tyre”, tha mes tjerash Aziri.
Aliu tha se Komisioni i Huaj përbehej nga nga dr. Ugolini Livi, kardiokirurg nga Italia, pas dr. Nikola Lakiç, kirurg kardiovaskular nga Sllovenia, dhe dr. Miha Çerçek, kardiolog intervenues nga Sllovenia.
“Pra pacientët janë në moshë 45-78 vjet, të cilët kanë qenë në analizë. Rastet të analizuara kanë të bëjnë me intervenime dhe procedura të realizuara në institucione të sektorit publik dhe të sektorit privat shëndetësor”, shtoi Aliu.
Ministri i Shëndetësisë tha se raporti i Komisionit të Huaj, së bashku me raportin e Komisionit vendas, do t’i dorëzohen Qeverisë, Prokurorisë, Odës së Mjekëve, Inspektoratit Sanitar dhe Shëndetësor, Fondit Shëndetësor dhe Komisionit për Parandalim të Korrupsionit.

