Ministria e Shëndetësisë vazhdon me mbështetjen dhe avancimin e statusit të infermierëve dhe akusherëve

1 Min. Leximi

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, me rastin e shënimit të javës kombëtare dhe evropiane të infermierëve dhe akusherëve, theksoi rolin kyç të infermierëve, teknikëve mjekësorë dhe akusherëve si shtyllë e sistemit shëndetësor, nga parandalimi dhe diagnostikimi, deri te rehabilitimi dhe mbështetja e pacientëve dhe familjeve të tyre.
“Ministria e Shëndetësisë është e përkushtuar për forcimin e burimeve njerëzore në institucionet publike shëndetësore, ku janë realizuar mbi 1.250 punësime në sektorin publik shëndetësor, prej të cilave një pjesë e konsiderueshme janë infermierë. Në drejtim të përmirësimit të gjendjes ekonomike të punonjësve shëndetësorë, muajin e kaluar është nënshkruar marrëveshje kolektive me Sindikatën e të Punësuarve në Qendrën Klinike dhe Sindikatën e Pavarur për Shëndetësi, Farmaci dhe Mbrojtje Sociale, me të cilën parashihet rritje e pagave prej 7 për qind me pagën e muajit mars, si dhe është përcaktuar dinamika për rritje të mëtejshme të pagave në periudhën e ardhshme”, theksoi ministri Aliu në fjalimin e tij në akademinë solemne, të organizuar nga Shoqata Kombëtare e Infermierëve, Teknikëve dhe Akusherëve ZMSTAM.
Ministria mbetet e përkushtuar për avancimin e vazhdueshëm të infrastrukturës shëndetësore, përmirësimin e statusit të infermierëve dhe akusherëve, si dhe mbështetjen e arsimimit dhe zhvillimit të tyre profesional.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull