Bekim Sali dhe Albin Kurti në një mbrëmje teatrore me mesazh të fortë

2 Min. Leximi

Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, mori pjesë në një mbrëmje kulturore në Teatrin Shqiptar në Shkup, ku u shfaq drama “Përtej hekurave”, në praninë e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, si dhe figurave të tjera politike dhe diplomatike nga vendi dhe rajoni.

Në njoftimin e tij, Sali theksoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje, duke deklaruar:

“Sonte, së bashku me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, miqtë e mi Izet Mexhiti e Bilall Kasami, Ambasadorin e Kosovës në Shkup, Florian Qehaja, si dhe deputetë nga Kosova dhe vendi ynë, patëm kënaqësinë të jemi pjesë e një mbrëmjeje të veçantë në Teatrin Shqiptar në Shkup.”

Ai vlerësoi gjithashtu përmbajtjen e dramës, e cila bazohet në veprën e Ismail Kadare dhe trajton fatin e intelektualit Ukshin Hoti:

“Drama është e bazuar në veprën ‘Bisedë përmes hekurash’ të Ismail Kadaresë dhe sjell në skenë fatin e hidhur të intelektualit dhe mendimtarit të zhdukur Ukshin Hoti.”

Në fund, Sali theksoi ndikimin emocional dhe mesazhin që përcjell arti, duke shtuar:

“Ishte kjo një mbrëmje që na kujtoi se arti i vërtetë nuk mbaron me duartrokitje, por vazhdon të jetojë brenda nesh, duke na sfiduar të reflektojmë dhe të mos harrojmë.”

Shfaqja “Përtej hekurave”, me regji të Naser Shatrolli, u vlerësua si një rikthim i fuqishëm i dramës shqipe në funksion të ndërgjegjes shoqërore dhe kujtesës historike.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull