Koalicioni VLEN ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të fundit të BDI-së në lidhje me kontratën e MEPSO-s, duke ngritur pikëpyetje mbi arsyet e mbrojtjes së një marrëveshjeje që, sipas tyre, për vite me radhë ka qenë e dëmshme për shtetin, transmeton Zyrtare.
Në reagimin e tyre, VLEN pyet drejtpërdrejt se kush nga drejtuesit e BDI-së ka interes për të mbrojtur një kompani boshnjake që, sipas tyre, “nuk ka ndërtuar asgjë dhe ka kushtuar miliona”, duke përmendur edhe emrat e liderit të partisë, Ali Ahmeti dhe ish-ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani.
VLEN rikujton se edhe vetë kuadrot e BDI-së në të kaluarën kanë qenë kundër kësaj marrëveshjeje. Si shembull përmendet ish-ministri i Drejtësisë, Bilen Saliji, i cili në cilësinë e drejtorit të sektorit juridik në MEPSO, kishte mbështetur procedurën për ndërprerjen e kontratës me kompaninë “Energoinvest”.
Sipas VLEN-it, vendimi i Bordit të Drejtorëve të MEPSO-s i datës 22 nëntor 2023 konfirmon se të gjithë anëtarët, përfshirë përfaqësuesit e BDI-së, kishin konstatuar se kontraktori nuk po i përmbushte detyrimet dhe se projekti nuk kishte përparim të dukshëm, duke çuar në nisjen e procedurave për ndërprerje.
Koalicioni thekson se projekti në fjalë kishte arritur vetëm rreth 4% realizim për katër vite, ndërsa marrëveshja kishte skaduar dhe shoqërohej me kërkesa të vazhdueshme për mjete shtesë financiare. “Shteti pagoi kamatë për vite me radhë, ndërsa projekti mbeti në vendnumëro”, thuhet në reagim.
VLEN akuzon BDI-në për ndryshim të qëndrimit dhe hipokrizi, duke theksuar se nga njëra anë kishin kërkuar ndërprerjen e kontratës, ndërsa sot e mbrojnë atë. Sipas tyre, kjo tregon se pas këtij projekti fshihen interesa të caktuara.
Në fund, VLEN deklaron se do të vazhdojë me, siç thonë ata, shfuqizimin e marrëveshjeve të dëmshme dhe realizimin e projekteve konkrete, duke përmendur edhe ndërtimin e lidhjes së parë elektroenergjetike me Shqipërinë.

