Kryeministri Albin Kurti pas takimit më kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se bisedimet kanë rezultuar të pasuksesshme.
Ai ka thënë se asnjëra prej ofertave që kanë bërë nuk u është pranuar.
“Ne ofruam që LDK-ja në bashkëqeverisje me LVV-në dhe partnerët tjerë ta ketë zëvendëskryeministrin, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tri ministri të tjera. Kam preferuar që zëvendëskryeministër i imi të bëhet Abdixhiku dhe të fillojmë një kapitull të ri”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka thënë se Kosova po shkon drejt zgjedhjeve, të cilat i ka quajtur të panevojshme.
“Në këtë mënyrë Kosova po shkon drejt zgjedhje të reja, të panevojshme, që i humbin kohë shtetit dhe buxhetit të Kosovës mjete. Së paku 1 milion euro kushtojnë zgjedhjet e reja dhe nuk do të sjellin zgjidhje sepse nuk do ta kemi numrin prej 80 deputetëve për ta bërë kuorumin. Është dashur të përpiqemi më shumë dhe nuk është dashur të refuzohet oferta jonë për qeverisje”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka thënë se në shpjegimin që VV-ja nuk duhet t’i ketë tri pozitat e larta institucionale, kanë bërë ofertë që kryekuvendari dhe nënkryetari i Kuvendit të pësojnë një rrokadë.
“Kryetarja e Kuvendit, Haxhiu do të bëhej nënkryetare e Kuvendit, dhe në këtë mënyrë di t’a kishim qeverinë dhe nuk do të kishim nevojë për zgjedhje. Ndërkohë LDK-ja do ta kryesonte Kuvendin. Për Konjufcën ne nuk kemi kërkuar votë për, ata le të votojnë si të duan”, është shprehur Kurti.

