Deputetja e VLEN-it, Imerlije Saliu, ka reaguar publikisht ndaj gjuhës së urrejtjes dhe ofendimeve që, sipas saj, shpesh drejtohen ndaj grave në jetën publike, raporton Alfax.mk.
Ajo thekson se këto sulme nuk janë të pafajshme, por synojnë të dëmtojnë integritetin e tyre si figura publike.
“Gjuha e urrejtjes dhe ofendimet që shpesh drejtohen ndaj nesh nuk janë thjesht fjalë, ato janë përpjekje për të cenuar dinjitetin, integritetin dhe përkushtimin tonë në shërbim të qytetarëve”, shprehet Saliu.
Deputetja shton se për një kohë të gjatë ka zgjedhur të mos reagojë ndaj sulmeve personale, duke besuar se puna flet më shumë se komentet negative.
“Për gati dy vite në detyrë, kam zgjedhur të mos reagoj ndaj çdo ofendimi apo sulmi personal… sepse kam besuar se puna dhe përkushtimi flasin më fort”, thekson ajo.
Saliu e cilëson veçanërisht shqetësuese faktin që një pjesë e këtyre komenteve vijnë nga qytete shqiptare si Gostivari, Tetova dhe Shkupi.
“Megjithatë, ajo që është për t’u evidentuar më shumë është kur kjo gjuhë vjen nga njerëz të vendbanimeve tona shqiptare si Gostivari, Tetova e Shkupi, me të cilët ndajmë të njëjtën kulturë, traditë dhe vlera. Është zhgënjyese kur harrohet se, përtej figurës publike, jemi njerëz me familje… që preken drejtpërdrejt nga kjo gjuhë”, deklaron deputetja.
Megjithatë, ajo nënvizon se kjo nuk e ndalon në angazhimin e saj politik.
“Për mua personalisht, kjo gjuhë nuk është pengesë, përkundrazi është motiv shtesë për të vazhduar edhe më fort dhe më e vendosur në rrugën time”, shprehet Saliu.
Në reagimin e saj, ajo apelon për më shumë vetëdije shoqërore dhe mbështetje për gjeneratat e reja.
“Uroj sinqerisht që këta komentues të mos bëhen pengesë për vajzat e tyre… që të mos ua cenojnë rrugën dhe ëndrrat”, thekson ajo.
Në fund, Saliu bën thirrje për një kulturë komunikimi më të përgjegjshme.
“Kritika është e mirëseardhur, por ajo duhet të jetë e ndërtuar mbi argument, jo mbi fyerje… fjala ka peshë”, përfundon deputetja.

