Bujar Osmani: Fragmentimi po e dobëson politikën shqiptare, BDI mbetet aset kombëtar

2 Min. Leximi

Bujar Osmani, nënkryetar i Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), ka reaguar përmes një postimi publik lidhur me gjendjen e politikës shqiptare në Maqedoninë e Veriut, gjegjësisht zhvillimet e fundit në ASH duke theksuar se fragmentimi i vazhdueshëm është kthyer në “sistem” dhe po dëmton peshën politike të shqiptarëve në vend.

Osmani vlerëson se prej vitesh politika shqiptare sillet në një cikël të njëjtë: ndarje, fraksione, krijim partish të reja dhe më pas ndarje të reja. Sipas tij, ajo që dikur konsiderohej përjashtim, sot është bërë normale.

“Fragmentimi është bërë sistem. Nuk po flas për pluralizëm, sepse pluralizmi është i shëndetshëm. Problemi lind kur çdo pakënaqësi prodhon fraksion të ri dhe çdo ambicie personale prodhon parti të re”, shkruan Osmani.

Ai thekson se kjo qasje e dobëson strukturën e përgjithshme politike dhe pengon ndërtimin e organizimeve të qëndrueshme me shtrirje kombëtare dhe disiplinë të brendshme. Sipas tij, sa herë që krijohet një organizim i fortë, menjëherë nis cikli i shpërbërjes, duke e lënë komunitetin joshumicë pa peshë të mjaftueshme politike.

“Një komunitet joshumicë që nuk arrin të qëndrojë i strukturuar humb fuqinë negociuese dhe aftësinë për strategji afatgjatë. Në vend të projekteve serioze, merremi me krizë pas krize”, thekson ai.

Në fund, Osmani nënvizon se çështja thelbësore nuk është se kush u nda nga kush, por nëse do të vazhdohet me fragmentim të pafund apo do të mbështetet një strukturë e konsoliduar politike.

Sipas tij, BDI përbën një aset pikërisht sepse ka arritur të ndërtojë organizim kombëtar dhe vazhdimësi, ndërsa modeli i fragmentimit që ai e lidh me koalicionin VLEN, sipas Osmanit, përfaqëson paradigmën e ndarjeve që duhet tejkaluar nëse synohet stabilitet dhe peshë reale politike.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull