Muhamed Elmazi: Prioritet mbetet siguria e qytetarëve, nis koordinimi për sanimin e dëmeve nga përmbytjet

2 Min. Leximi

Kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamed Elmazi, ka njoftuar se që në orët e para të mëngjesit ka udhëhequr takimin koordinues pas reshjeve të dendura që shkaktuan përmbytje në disa zona të komunës, raporton Zyrtare.

Sipas tij, Komuna e Sarajit po ndërmerr të gjitha veprimet brenda kompetencave të saj për menaxhimin e situatës, ndërsa ekipet komunale që nga dita e djeshme janë në terren për të përballuar pasojat e reshjeve.

Elmazi bëri të ditur se veprimet po realizohen në koordinim të plotë me institucionet përgjegjëse, përfshirë ministrin e Mjedisit Jetësor, Muamet Hoxha, drejtorin e Qendrës për Menaxhimin e Krizave, Muamet Ali, si dhe institucionet tjera relevante. Ai theksoi se gjendja po monitorohet vazhdimisht dhe ndërhyrjet po bëhen aty ku është e nevojshme, ndërsa po ndiqet nga afër edhe procesi i sanimit të dëmeve.

“Prioriteti ynë është siguria e qytetarëve dhe mbrojtja e pronës së tyre”, theksoi Elmazi.

Kryetari i Sarajit përshëndeti gjithashtu projektin e Ministrisë së Mjedisit për rregullimin e Lumit të Thatë në gjatësi prej 13 kilometrash, që parasheh pastrimin dhe thellimin e shtratit, rregullimin me pllaka dhe ndërtimin e murit mbrojtës prej guri. Sipas tij, ky projekt përbën një hap të rëndësishëm drejt një zgjidhjeje afatgjatë dhe sistematike, që do të zvogëlojë ndjeshëm rrezikun nga përmbytjet dhe do të mbrojë tokat bujqësore dhe shtëpitë e banorëve të Sarajit.

Ai siguroi se Komuna do të vazhdojë të jetë në shërbim të qytetarëve, me transparencë dhe përkushtim maksimal, deri në stabilizimin e plotë të situatës./ Zyrtare/

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull