Instituti i Statistikave i Shqipërisë, INSTAT, ka qenë pre e një sulmi të sofistikuar kibernetik gjatë ditës së djeshme. Sipas një njoftimi në faqen e INSTAT-it në Facebook, sulmi është kryer më 31 janar, ndërsa INSTAT-i ka reaguar me shpejtësi për të parandaluar dhe minimizuar dëmet e mundshme nga sulmi, shkruan TRT Balkan Albanian.
“INSTAT-i ka ndërprerë menjëherë lidhjet e internetit dhe ka aktivizuar protokollet e emergjencës për të siguruar mbrojtjen e të dhënave dhe informacioneve statistikore. Aktualisht, nga ekzaminimet e para të kryer nga ekspertët e Teknologjisë së Informacionit, disa nga sistemet e INSTAT-it janë ndikuar nga sulmi”, thuhet në njoftim.
Zyra e Statistikave njofton se janë angazhuar ekspertë kombëtarë të sigurisë kibernetike të cilët po kryejnë hetim për përcaktimin e shkaqeve themelore të sulmit, vlerësimin e shtrirjes së dëmit dhe hartimin e zgjidhjeve efektive për të zbutur rreziqet e ardhshme.
Sulmi nuk ka prekur të dhënat e regjistrimit të popullsisë, të kryer para pak kohësh në Shqipëri.
“INSTAT-i siguron publikun se të dhënat e Censit nuk janë objekt i këtij sulmi pasi janë të ruajtura në sisteme të tjera të dedikuara vetëm për këtë qëllim”, thuhet në njoftim.
Viteve të fundit, disa institucione publike në Shqipëri kanë qenë cak i sulmeve të ngjashme kibernetike.