Filipçe: Kjo qeveri nuk do të zgjasë deri në vitin 2028

3 Min. Leximi

Krizë ekonomike, e më pas edhe “migrantë për para”, janë skenarët që e presin shtetin, thotë kryetari i partisë opozitare Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM), Venko Filipçe, në intervistën e sotme për Radion Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.

Ai e akuzon qeverinë për izolimin e shtetit nga rruga evropiane dhe hedh pretendime për lidhje me pushtetet në Serbi dhe Hungari, si dhe me Rusinë. Sa i përket zhvillimeve brenda partisë së tij, ai shton se nuk frikësohet nga ndonjë puç, pasi në kongresin e fundit ka qenë i suksesshëm dhe ka marrë sugjerime të sinqerta dhe të ndershme.

I pyetur se kur pret të mbahen zgjedhje të parakohshme, ai thotë se nuk mund të parashikojë me siguri, por beson se ato patjetër do të ndodhin në përputhje me krizën që e pret shtetin.

“Kjo qeveri kujdeset vetëm për interesat e veta, sepse duhet të realizohet ajo që kurrë nuk e kanë mohuar – se do të vijnë migrantë për para – dhe për këtë arsye nevojiten zgjedhje të parakohshme. A do të jenë në fund të këtij viti apo vitin e ardhshëm, do ta shohim, por deri në vitin 2028 nuk do të mund të vazhdohet kështu”, tha Filipçe.

Në lidhje me pyetjen nëse ka informacion për ndonjë platformë apo iniciativë të brendshme partiake për zëvendësimin e tij, ai tha se ka dëgjuar edhe vetë spekulime të tilla, por i vlerëson ato si të pavërteta.

“Nuk ka të vërtetë në këtë. Duhet të them një gjë: unë kam mandat legjitim. Para disa muajsh, 20.000 anëtarë më votuan që ta udhëheq partinë në mandatin e ardhshëm katërvjeçar. Dyert janë të hapura për të gjithë”, thotë ai.

Ai theksoi se në publik ka dalje të ndryshme të disa shokëve partiakë, gjë që sipas tij nuk është korrekte, duke shtuar se vërejtjet duhet të shprehen brenda partisë.

“Kush ka diçka për të thënë, le ta thotë – dyert janë të hapura për të gjithë. Unë jam i hapur t’i dëgjoj të gjitha ato sugjerime këtu, brenda partisë”, shton lideri i LSDM-së.

Çdo fragmentarizim brenda LSDM-së, sipas tij, shkon në dobi të VMRO-DPMNE-së.

“Edhe ne e dimë për atë komunikim dhe mbështetje që ata e kishin edhe në periudhën kur po formohej ZNAM-i, ndërsa tani edhe formalisht janë në koalicion me VMRO-DPMNE-në. Ata janë ish-anëtarë tanë. Pra, çdo fragmentarizim shtesë shkon vetëm në dobi të VMRO-DPMNE-së dhe, për fat të keq, në asnjë dobi për qytetarët apo për shtetin”, thotë Filipçe.

Kujtojmë se,  LSDM-ja më 24 janar mbajti kongres partiak, ku u miratua raporti për zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2025 dhe u votua besimi për të gjithë organet partiake.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull