Zv. ministrja e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Elena Shekerletova thotë se nuk shikon ndonjë përparim lidhur me procesin eurointegrues të Maqedonisë së Veriut.
“Do të ishim të lumtur të shihnim ndonjë përparim në Republikën e Maqedonisë së Veriut, por për momentin, për fat të keq, nuk shohim asgjë”, tha Shekerletova.
Shekerletova mori pjesë në takimin e përbashkët të Komitetit lokal për Politikë të Jashtme dhe Komitetit për Çështjet Evropiane dhe Kontrollin e Fondeve Evropiane në Parlament, në të cilin Ambasadori i Republikës së Qipros në Bullgari prezantoi prioritetet e Presidencës Qipriote të Këshillit të Bashkimit Evropian.
“Bullgaria vazhdon të besojë se zgjerimi i BE-së duhet të përfshijë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, kur ato tregojnë gatishmërinë e nevojshme”, theksoi Shekerletova.
Ajo tha se vazhdojnë të besojnë në këtë forcë reformuese dhe motivuese të zgjerimit të BE-së në këto vende.
Sipas saj, është e rëndësishme të ndërtohet një sistem vlerash në vendet që është në përputhje me atë të BE-së.
Zëvendës Shefja e Diplomacisë Bullgare beson se disa vende kandidate për anëtarësim po tregojnë përparim, por vullneti dhe gatishmëria nuk janë të njëjta në çdo vend./

