Në Fakultetin Filozofik në Shkup pranë Universitetit “Shën Cirili dhe Metodi” sot është lëshuar zona Wi-Fi falas, e para në kuadër të projektit për internet falas të Ministrisë për Transformim Digjital (MTD). Me këtë internet janë përfshirë hapësirat administrative, auditoriumi i fakultetit dhe të gjitha amfiteatret, ndërsa në të ardhmen do të përfshihen dhe sallat e leksioneve dhe kabinetet.
Ministri, Stefan Andonovski dhe dekani i këtij Fakulteti, Oliver Bakrevski definuan projektet e bashkëpunimit me nënshkrimin e një Memorandumi. Presin që internet falas ta bëjë më të lehtë për studentët qasjen deri te informacioni.
Andonovski paralajmëroi se me mjetet e MTD-së zona interneti falas do të vendosen dhe në lokacione tjera në konviktet studentore dhe në fakultetet ku ka frekuencë më të lartë të mësimdhënësve dhe studentëve.
“Shpresoj që në këtë mënyrë së bashku me projektin për vauçerët për pajisje elektronike për studentët, do të ulim hendekun digjital midis studentëve, me qëllim të mundësive të barabarta për studim. Shpresoj që interneti falas do t’i ndihmojë ata të mësojnë më lehtë dhe të kenë më lehtë qasje deri tek informacioni që u nevojitet. Pajisjet janë të cilësisë së lartë dhe nuk pres ndonjë problem në përdorim. Do të zgjerohen edhe në hapësira të tjera të fakultetit”, tha Anodnovski.
Sipas dekanit Bakrevski, zona e re Wi-fi bazohet në teknologjinë moderne të rrjetit dhe do të kontribuojë në cilësi shtesë në arsim.
“Kjo është domethënëse gjatë periudhës kur shënojmë 105 vjetorin e Fakultetit të Filozofisë në Shkup dhe është një nxitje shtesë si për mësimdhënësit ashtu edhe për studentët. Kjo konfirmon se institucionet tona kanë ndjeshmërinë e nevojshme dhe kanë një qëndrim të qartë se të gjitha çështjet me interes të përbashkët dhe të cilat lidhen me bashkësinë akademike duhet të adresohen, sepse ato në një farë mënyre përcaktojnë situatën e përgjithshme. Ky është një lloj udhërrëfyesi që vetëm një transformim i tillë shoqëror do të sigurojë akumulimin e kapitalit shtesë shkencor dhe arsimor”, deklaroi Bakrevski.

