Rrëshqitjet e dheut po rrezikojnë katër shtëpi në fshatin Shipkovicë të Tetovës. Mbrëmë, rreth orës tre pas mesnate, katër familje u detyruan të lënë banesat e tyre dhe të vendoseshin tek familjarët. I vizituam gjatë ditës së sotme dhe banorët shprehen të frikësuar, pasi në pjesën e sipërme dheu rrëshqet, ndërsa në pjesën e poshtme ndodhet një përrua, i cili në vitin 2015 solli vërshime tragjike që morën edhe jetë njerëzish. Ata apelojnë tek institucionet për ndërhyrje të menjëhershme, pasi nuk mund të qëndrojnë gjatë tek të afërmit.
“Dje mbrëmë ka rrëshqit kjo, në tre të natës. Momentalisht kemi dalë nga shtëpia, jemi tek vëllai. Si do ja bëjmë në të ardhmen, se dimë, por sot për sot kështu është. Ne nuk mund ta vlerësojmë, atë e vlerësojnë inxhinierët kompetentë. Ajo shihet – dheu ka rrëshqitur, ajo është që duket. Të gjithë kanë qenë dje: Qendra për Menaxhim me Kriza, policia, komuna. Ishte një inxhinier dhe na thanë se do marrin masa. Këshilli e ka miratuar edhe më parë, edhe për pruan kanë thënë, por sot e kësaj dite s’e kanë bërë. Projekti ka përfunduar dhe është dashur të realizohet”, tha Mumin Velia – pronar i shtëpisë.
“Ne kërkojmë ta ndreqin më shpejt, të mos na rrëshqasë gjithë poshtë, të mos na marrë dheu krejt poshtë”, pohoi Egzon Kurtishi – banor.
“Neve na rrezikon me jetë, s’ke çka flet më shumë, veç me fol pa lidhje. Çka bëjnë? Inspektorati dhe policia i kanë nxjerrë familjarët dhe i kanë çuar diku tjetër. Aty janë punë të institutit. Prej 2015 na kanë premtuar. Edhe projekt kanë, por s’e kanë përfunduar – 110 metra e kanë lënë në mëshirë të Zotit. Edhe pse ka ankesë, UNDP dhe ambasada e Zvicrës – kemi bërë kërkesë me shkrim, na kanë kthyer përgjigje, por komuna dhe ministria e ekologjisë s’kanë bërë asgjë. Në të dy anët jemi të rrezikuar. Më tutje s’kemi çka flasim”, tha Islam Delia – banor.
Nga Komuna e Tetovës, në një përgjigje me shkrim, thonë se janë në dijeni të situatës dhe po e ndjekin nga afër, pa dhënë detaje për hapat e ardhshëm:
KOMUNA E TETOVËS:
“Shtabi i Krizës së Komunës së Tetovës, në bashkëpunim me Qendrën për Menaxhim me Kriza, nga afër është duke e ndjekur situatën në Shipkovicë, ku si rezultat i rrëshqitjes së dheut katër shtëpi janë të rrezikuara. Po ashtu, tashmë anëtarët e katër familjeve janë evakuuar dhe janë strehuar tek të afërmit e tyre. Gjithsej janë 17 banorë që kanë lëshuar shtëpitë e tyre, ndërkohë që reshjet vazhdojnë.”
Në vërshimet e vitit 2015 në Shipkovicë humbën jetën katër persona nga ky fshat. Edhe pas 10 vitesh, banorët e Shipkovicës, sa herë ka reshje, jetojnë me frikën e një vërshimi të ri të mundshëm. /TV21

