Në skenën e Operës dhe Baletit Nacional në Shkup më 28 nëntor 2025, duke filluar nga ora 20:00, do të mbahet Koncerti Gala, me pjesëmarrjen e divës së famshme botërore të operës Inva Mula, së bashku me Deshira Ahmeti-Krliu (soprano), Ismet Vejseli (tenor) dhe orkestrën e OBM, të dirigjuar nga Ivan Eminoviq dhe me regji nga Dejan Proshev, shkruan Portalb.mk.
Programi i koncertit përfshin vepra të zgjedhura nga klasikët e operës nga Xhuzepe Verdi, Leo Delib, Xhakomo Puçini, Zhorzh Bize, Zhak Ofenbah dhe autorë të tjerë.
Sopranoja Deshira Ahmeti-Krliu për Portalb.mk tha se ky koncert është një hap i ri për këtë institucion.
“Koncerti Gala i 28 Nëntorit është një koncert që do të mbahet për herë të parë në këtë institucion të rëndësishëm të kulturës në vendin tonë. Është ideja ime që ta realizojmë këtë koncert së bashku me artisten e madhe të skenave botërore, sopranon Inva Mula. Jam në shtëpinë time artistike, ku që nga viti 2005 jam soliste e roleve kryesore në këtë institucion. Është shumë e rëndësishme të kemi sa më shumë koncerte të nivelit të lartë artistik në institucionet kulturore, dhe ato të jenë pjesë e programit vjetor. Në këtë mënyrë krijojmë publik që e ndjek muzikën klasike e operistike dhe ndërtojmë traditën e pjesëmarrjes në shfaqje dhe koncerte të këtij zhanri”, tha Ahmeti-Krliu.
Ismet Vejseli tenor për Portalb.mk tha se programin e ka përzgjedhur vetë Inva Mula, me arie botërore dhe pjesë shqipe që rrallë interpretohen te ne.
“Programi është përzgjedhur ekskluzivisht nga diva Inva Mula. Ai përfshin kryesisht arie operistike të kompozitorëve botërorë, vepra shumë të njohura në skenat ndërkombëtare, por që nuk interpretohen shpesh në vendin tonë. Inva Mula do të interpretojë gjithashtu edhe arie dhe pjesë shqipe, posaçërisht për publikun e Shkupit. Ky është një koncert gala i muzikës klasike, por magjia e vërtetë qëndron te fakti se Inva Mula vjen në Operën e Shkupit për të interpretuar së bashku me Orkestrën e Operës së Shkupit”, tha Vejseli.
Inva Mula, soprano, është një nga emrat më të shquar në skenën bashkëkohore të operës. E lindur në një familje artistike në Shqipëri, ajo e filloi edukimin e saj muzikor shumë herët, duke u spikatur si një talent i jashtëzakonshëm vokal me saktësi lirike dhe thellësi emocionale. Gjatë karrierës së saj të shkëlqyer, ajo ka performuar në skenat më prestigjioze të operës në botë, duke përfshirë operën e Parisit, Skalën e Milanos dhe operën Metropolitane, në bashkëpunim me dirigjentë dhe regjisorë të shquar. Zëri i saj unik dhe i dallueshëm i ka sjellë popullaritet në mbarë botën jashtë operës: ajo ia huazoi zërin personazhit të Divës në filmin kult fantastiko-shkencor “Elementi i Pestë” (1997).
Ky koncert organizohet nga Teatri i Operës dhe Baletit të Maqedonisë së Veriut, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së RMV-së dhe Komunës së Çairit.

