Tregjet globale po përballen me goditje të njëpasnjëshme për shkak të tarifave të reja amerikane, rritjes së inflacionit dhe pasigurisë së vazhdueshme mbi drejtimin e normave të interesit.
Këta faktorë kanë krijuar presion të fortë mbi asetet e rrezikshme, duke përfshirë edhe kriptomonedhat, të cilat po tërhiqen me shpejtësi. Si rezultat, Bitcoin është rrëzuar nën nivelin me të cilin e nisi vitin, duke humbur vrullin që e shoqëroi gjatë muajve të parë të 2025-s.
Sipas ekspertëve të tregut, kriptomonedhat nuk po funksionojnë më si “strehë e sigurt”, siç janë perceptuar shpesh në të kaluarën. Përkundrazi, ato po lëvizin në të njëjtin ritëm me pasiguritë makroekonomike globale, duke u bërë të varura nga zhvillimet gjeopolitike dhe politikat monetare të bankave qendrore.
Bitcoin e nisi vitin me çmimin 93,540 dollarë dhe në tetor arriti një rekord të ri prej 126,200 dollarësh. Megjithatë, entuziazmi nuk zgjati: çmimi është kthyer rreth 83,425 dollarëve, duke fshirë kështu të gjitha fitimet e grumbulluara gjatë 2025-s.
Rënia nuk i ka kursyer as kriptomonedhat e tjera kryesore. Ethereum, për shembull, ka rrëshqitur ndjeshëm deri në 2,733 dollarë, duke reflektuar të njëjtën tendencë të presionit të përgjithshëm të tregut.
Në këtë klimë pasigurie, investitorët po i zvogëlojnë ekspozimet ndaj aseteve të rrezikshme dhe po kërkojnë stabilitet. Tregu i kriptomonedhave po hyn në një fazë konsolidimi, ndërsa pjesëmarrësit po rishikojnë strategjitë e tyre dhe po presin qartësi mbi zhvillimet e ardhshme ekonomike.
Megjithatë, disa analistë, përfshirë ekonomistin Harvey, kujtojnë se kriptomonedhat historikisht kanë treguar aftësi të rimëkëmbjes pas periudhave të rëna të forta.
Ai thekson se ciklet e ngjashme kanë ndodhur edhe më parë dhe se tregu i kriptove mund të rikthehet në rritje pasi të stabilizohen faktorët globalë.
Ndërkohë, vëmendja po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt stablecoin-ëve – monedha digjitale të mbështetura nga asete reale, kryesisht dollarë amerikanë—që shihen si një alternativë më e qëndrueshme në kohë turbulencash.
Investitorët po tregohen gjithnjë e më të kujdesshëm, veçanërisht ndaj skemave të rrezikshme të aseteve digjitale, duke kërkuar forma më të sigurta për të ruajtur kapitalin në një periudhë të mbushur me pasiguri ekonomike.

