Zv/ministrja Zekolli: Projekti për parkingun nëntokësor te “Sheshi Skënderbeu” nuk anulohet

2 Min. Leximi

Projekti për parkingun nëntokësor tek “Sheshi Skënderbeu”, nuk anulohet dhe se procedura e prokurimit do të hapet sërish ditët në vijim. Këtë përmes një sqarimi në rrjetet sociale e ka bërë të ditur zë/ministrja e Transportit dhie Lidhjeve, Kaltrina Zekolli pas disa shkrimeve mediale për gjoja anulimin e procedurës së prokurimit.

Sipas Zekollit bëhet fjalë ekskluzivisht për shkaqe teknike të vërejtura në dokumentacionin e tenderit, të cilat kërkojnë korrigjim para vazhdimit të procedurës, me qëllim, siç thotë, “sigurimin e transparencës dhe respektimit të plotë të ligjit”.

“Lidhur me disa shkrime mediale për gjoja anulimin e procedurës së prokurimit për projektin ‘Sheshi Skënderbeu’ faza 3, parkingu nëntokësor, dëshirojmë t’i sqarojmë opinionit publik se bëhet fjalë ekskluzivisht për arsye teknike të vërejtura në dokumentacionin e tenderit. Gjatë verifikimit zyrtar u konstatuan mospërputhje dhe gabime të trashëguara në përllogaritje, të cilat kërkojnë korrigjim para vazhdimit të procedurës me qëllim sigurimin e transparencës dhe respektimit të plotë të ligjit”, ka thënë Zekolli.

Për këtë arsye, sipas saj është marrë vendimi për anulim teknik të procedurës, që nënkupton përmirësimin e dokumentacionit dhe rihapjen e tenderit.

“Theksojmë se projekti nuk anulohet. Procedura e prokurimit do të hapet sërish në ditët në vijim, ndërsa përmirësimi teknik ka për qëllim vetëm garantimin profesional dhe të qëndrueshëm”, nënvizon zv/ministrja Zekolli.

Izet Mexhiti, tani kryetar i Çarit, kohë më parë bëri të ditur se Qeveria ka siguruar 25 milionë euro për fazën e tretë të sheshit “Skënderbeu” dhe parkingun modern nëntokësor. Siç ka thënë Mexhiti, projekti do të zgjidhë një nga problemet më të mëdha urbane të Çairit dhe Çarshisë – mungesën e hapësirave për parkim.

Ndërkaq, zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, projektin e ka quajtur si “investimin më të madh në historinë e komunës së Çairit”.

Ndryshe, projekti parashikon ndërtimin e sheshit dhe të parkingut nëntokësor me mbi 400 vende.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull