Aksion i policisë në Saraj, kallëzime penale ndaj ish kryetarit dhe zyrtarëve tjerë të komunës

2 Min. Leximi

Është ngritur kallëzim penal kundër tetë personave fizikë – ish-zyrtarë dhe nëpunës në Komunën e Sarajit dhe në Qytetin e Shkupit, si dhe kundër një inxhinieri mbikëqyrës, për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimeve zyrtare, neglizhencë në kryerjen e detyrës dhe falsifikim ose shkatërrim të librave afariste.

Drejtoria e Policisë Financiare ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike – Shkup kundër personave B.B. në cilësinë e ish-kryetarit të komunës, S.SH. dhe Ķ.K. në cilësinë e ish-sekretarëve të Komunës së Sarajit, A.S. dhe Ķ.A. si udhëheqës të sektorit për urbanizëm në Komunën e Sarajit, A.SH. si bashkëpunëtor i ri në Komunën e Sarajit, I.B.SH. si udhëheqës i sektorit për planifikim dhe rregullim të hapësirës në Qytetin e Shkupit dhe L.T. si inxhinier mbikëqyrës, për vepra penale: “Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimeve zyrtare” sipas nenit 353 të Kodit Penal të RMV-së, “Punë e pandërgjegjshme në shërbim” sipas nenit 353-v të Kodit Penal të RMV-së dhe “Falsifikim ose shkatërrim i librave afariste” sipas nenit 280 të Kodit Penal të RMV-së.
Ekzistojnë dyshime të bazuara se personat e kallëzuar, të punësuar në Komunën e Sarajit, megjithëse ishin të vetëdijshëm se për parcelën kadastrale KP 10405/6 KO Saraj nuk ekzistonte plan urbanistik i miratuar, duke e tejkaluar autorizimin e tyre zyrtar, kanë përgatitur dhe miratuar përmbledhje të planit dhe leje ndërtimi me përmbajtje të rreme, si dhe llogaritje për kompensim për rregullimin e tokës ndërtimore, në kundërshtim me dispozitat ligjore, ndërsa inxhinieri mbikëqyrës ka kryer kontroll teknik të objektit dhe ka përgatitur raport përfundimtar me përmbajtje të rreme.

Në këtë mënyrë, personat e kallëzuar, duke keqpërdorur pozitën dhe autorizimet e tyre zyrtare, si dhe duke vepruar në mënyrë të pandërgjegjshme, i kanë mundësuar subjektit juridik “Azra Idriz” SHPKN Glumovë, Shkup – Saraj të përfitojë në mënyrë të paligjshme përfitim pasuror në shumë prej 108.638.840 denarësh.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull