Osmani reagon pas deklaratës së Vuçiqit: Turqia po ndihmon në mbrojtjen e paqes, jo në destabilizim

2 Min. Leximi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili sulmoi Turqinë, duke e akuzuar se po dëmton stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

REKLAMIM I PAGUAR POLITIK

Në një postim në rrjetin social X, Osmani doli hapur në mbështetje të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, në të njëjtën ditë kur ish-presidenti amerikan Donald Trump e vlerësoi Turqinë për lidershipin e saj në promovimin e paqes dhe sigurisë globale.
“Vuçiq po e sulmon pa turp Turqinë – një vend që, si shtet anëtar i NATO-s, po ndihmon në mbrojtjen e paqes,” ka shkruar Osmani.
Osmani theksoi se është krenare për bashkëpunimin e ngushtë me Erdoganin, të cilin e përshkroi si “njeri të fjalës, që ka treguar kujdes të sinqertë për popujt e rajonit dhe ka kontribuar në stabilitet e siguri”.

“Ndërkohë, Vuçiq mendon se mund të kërcënojë një vend të madh të NATO-s si Turqia në të njëjtën mënyrë siç kërcënon fqinjët. Në vend që të bashkëpunojë me shtetet e NATO-s, ai zgjedh partneritetin me Rusinë, Kinën dhe Iranin,” shtoi Osmani.

REKLAMIM I PAGUAR POLITIK

Presidentja tha se Kosova do të vazhdojë forcimin e lidhjeve me aleatët e NATO-s, duke modernizuar aftësitë mbrojtëse sipas standardeve të Aleancës dhe duke kontribuar në sigurinë kolektive.
“Vuçiq duhet të përpiqet të bëjë të njëjtën gjë, në vend që të sulmojë vazhdimisht fqinjët e tij. Por për mendjen e tij hegjemonike, e fiksuar pas të kaluarës, një pjekuri e tillë duket e paarritshme,” theksoi ajo.
Në fund të reagimit, Osmani falënderoi Erdoganin dhe popullin turk për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës:

“Le të zgjasë përgjithmonë lidhja jonë e fortë Kosovë–Turqi.”

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull