Gostivar, 23 shtator 2025 – Kandidati i pavarur për Komunën e Gostivarit, Visar Ademi, mbajti sot një konferencë për shtyp para stadiumit ndihmës të qytetit, ku denoncoi shpenzimet e kota dhe premtimet e parealizuara të udhëheqësisë aktuale.
Ademi theksoi se në vitin 2018 u shpenzuan mbi 64 mijë euro për projektin e parkut ujor, i cili asnjëherë nuk u ndërtua, duke e cilësuar këtë si “abuzim me besimin dhe paratë e qytetarëve”. Po ashtu, ai rikujtoi se në mandatin 2021–2025 u premtua rinovimi i stadiumit të qytetit, por jo vetëm që nuk u realizua, por Klubi Futbollistik Gostivari u detyrua të ndërpresë aktivitetet.
“Këto janë dëshmi të shpërdorimit të parave publike dhe të premtimeve boshe. Ne ofrojmë ndryshim të vërtetë – investime reale e transparente, mbështetje për rininë, ndërtimin e parkut ujor, ringjalljen e KF Gostivari, si dhe pastërti, rend e siguri për qytetin tonë”, u shpreh Ademi.
Ai prezantoi tri prioritete kryesore:
1️⃣ Pastrimin nga korrupsioni dhe ndalimin e projekteve imagjinare.
2️⃣ Qytet të pastër e dinjitoz për çdo banor.
3️⃣ Siguri më të madhe për qytetarët, duke u dhënë fund rreziqeve nga qentë endacakë.
Në vizionin e tij për mandatin 2025–2029, Ademi premtoi ndërtimin e Aqua Parkut deri në vitin 2026, ringjalljen e KF Gostivari dhe fuqizimin e rinisë përmes Këshillit Rinor Komunal.
Në fund, ai ngriti edhe një pyetje publike: pse kryetari aktual nuk ka dorëzuar deklaratën e detyrueshme të pasurisë, sipas Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.
“Mjaft me marketing politik dhe projekte vetëm në letër. Ka ardhur koha për llogaridhënie, drejtësi dhe ndryshim të vërtetë”, përfundoi Ademi.