Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, në emisionin “Agora” në Almak TV ka deklaruar se në dy vitet e fundit në vendbanimet kryesisht shqiptare në Maqedoninë e Veriut janë ndarë rreth 3 miliardë euro investime, duke e cilësuar këtë si një ndryshim të madh krahasuar me të kaluarën.
Sipas tij, këto investime përfshijnë projekte të mëdha infrastrukturore që lidhin vendin me Shqipërinë dhe Kosovën, si Korridori 8 dhe rruga Shkup–Bllacë, të cilat, siç tha ai, po e forcojnë ndërlidhjen rajonale.
“Me përgjegjësi e them se në këto dy vite po ndodhin rreth 3 miliardë euro investime në vendbanimet shqiptare, gjë që nuk ka ndodhur më parë. Nëse do të kishte pasur investime të tilla në të kaluarën, dallimet mes vendbanimeve shqiptare dhe atyre maqedonase nuk do të ishin kaq të theksuara”, deklaroi Mexhiti.
Ai përmendi gjithashtu vendime dhe projekte që sipas tij janë realizuar për herë të parë, si ndarja e 60 milionë eurove për ndërtimin e Universitetit “Nënë Tereza”, si dhe financimi i projekteve infrastrukturore në komunat me shumicë shqiptare.
Mexhiti theksoi se për herë të parë investimet po shpërndahen sipas numrit të banorëve dhe nevojave reale të komunave, duke shtuar se në të kaluarën, sipas tij, kriteret kanë qenë të ndryshme dhe shpesh kanë devijuar nga vendbanimet shqiptare.
Ai përmendi edhe projekte të tjera në zhvillim, si Sheshi “Skënderbeu” në Shkup (faza e tretë), si dhe rrugën Tetovë–Prizren, ku pritet të hapet projekti për tunelin.
“Vetëm për komunat shqiptare janë ndarë rreth 100 milionë euro për infrastrukturë nëntokësore, çerdhe, terrene sportive dhe projekte të tjera”, shtoi ai.
Sipas Mexhitit, këto investime tregojnë një qasje të re në zhvillimin e barabartë rajonal dhe përmirësimin e kushteve të jetesës në vendbanimet shqiptare në vend.

