Ylli kroat, Ivan Perishiq, do të luajë për Hajdukun e Splitit për pagë mujore prej 1 euro. Kjo është bërë e ditur në konferencën për shtyp në të cilën Perishiq është prezantuar te skuadra nga Spliti.
Ai është huazuar për gjashtë muaj nga Tottenhami, ndërsa më pas do të firmosë për një vit me klubin kroat.
Më herët për pagë mujore prej 1 euro, ka firmosur me Hajdukun edhe Nikola Kaliniq. Të dy janë pajtuar për pagë simbolike, ndërsa synim e kanë ta ndihmojnë Hajdukun ta fitojë titullin e kampionit.
Perishiq do të ketë bonuse nëse Hajduku kualifikohet në fazën grupore në kupa evropiane, ndërsa e ka të drejtën e largimit në dy afatet e ardhshme kalimtare nëse paguhet dëmshpërblimi i caktuar, e që nuk është bërë i ditur.
Perishiq u transferua për ta ndihmuar Hajdukun, por po ashtu të bëhet gati për Kampionatin Evropian që në verë mbahet në Gjermani.
Ai është prej lojtarëve më të mirë të Kroacisë.