Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka reaguar pas hapjes zyrtare të shtabit zgjedhor të koalicionit VLEN në Strugë, duke theksuar se qyteti ka folur qartë për ndryshimin e shumëpritur.
“Në mbrëmje u ngrit shpresa, Struga u zgjua për ndryshim,” shkruan Mexhiti në një status të shpërndarë në rrjetet sociale.
Ai nënvizoi atmosferën e entuziazmit dhe pjesëmarrjen masive të qytetarëve në zemër të qytetit, ku u hap shtabi i VLEN-it si pikënisje e organizimit për zgjedhjet lokale. Mexhiti tha se qindra struganë të mbledhur, me energji të jashtëzakonshme dhe besim të palëkundur, janë dëshmia më e mirë e frymës që po rritet në mbështetje të ndryshimit.
Shef i shtabit zgjedhor në Strugë do të jetë Albrim Hoxha, për të cilin Mexhiti u shpreh si një djalë i përkushtuar, i guximshëm dhe me rrënjë të thella në qytet. “Nën drejtimin e tij, ky shtab do të jetë zemra e fitores,” shkruan ai.
Në reagimim e tij Mexhiti thekson se qytetarët e Strugës nuk kërkojnë më premtime boshe, por qeverisje me dinjitet, drejtësi dhe punë konkrete.
Ai konfirmoi edhe mbështetjen e VLEN-it për kandidaturën e pavarur të biznesmenit Mendi Qyra, duke e vlerësuar atë si një emër që mishëron suksesin, integritetin dhe vizionin për një Strugë më të zhvilluar.
“Shtabi është hapur dhe fitorja nis këtu! Le ta kthejmë Strugën në simbolin e fitores, të qeverisjes së ndershme dhe të energjisë qytetare. Ky është momenti ynë. Ky është viti ynë. Dhe bashkë me struganët do të bëjmë ndryshimin,” përfundon Mexhiti.
Në fund të statusit, ai dërgon një mesazh të qartë:
“Struga u zgjua. Struga fiton. Struganët vendosin, jo klanet!”