Cigaret elektronike, një “modë” me pasoja të rënda

5 Min. Leximi

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mbi 46 për qind e burrave dhe 27 për qind e grave në Maqedoninë e Veriut konsumojnë duhan ose produkte që përmbajnë nikotinë

Albina REKA

- Advertisement -

Shkup, 15 qershor – Në vitet e fundit, përdorimi i cigareve elektronike është bërë gjithnjë e më i zakonshëm, veçanërisht tek të rinjtë. Ato promovohen si një alternativë më e sigurt ndaj duhanit tradicional, por në realitet paraqesin rreziqe të shumta për shëndetin. Cigaret elektronike funksionojnë duke nxehur një lëng që përmban nikotinë dhe substanca të tjera kimike, të cilat më pas thithen në formën e avullit. Megjithëse nuk krijojnë tym si duhani, avulli i tyre mbart përbërës që janë të dëmshëm për organizmin e njeriut. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mbi 46 për qind e burrave dhe 27 për qind e grave në Maqedoninë e Veriut konsumojnë duhan ose produkte që përmbajnë nikotinë. Këto shifra alarmante u theksuan në një konferencë për Ditën Botërore pa Duhan, ku përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, ISHP-së, OBSH-së, Kombeve të Bashkuara dhe UNICEF-it bënë thirrje për masa urgjente kundër konsumit të duhanit.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Jovica Andovski, theksoi se përdorimi i duhanit shkakton humbje ekonomike dhe shëndetësore, ndërsa çdo denar i investuar në kontrollin e duhanit sjell 18 denarë kursime. Nga ana tjetër, drejtoresha e ISHP-së, Marija Andonovska, u shpreh se gjysma e popullsisë së rritur është duhanpirëse aktive dhe se instituti ka vënë në funksion një linjë telefonike për ndihmë në lënien e duhanit, me një normë suksesi prej rreth 10 për qind.

Përfaqësuesi i OBSH-së në Shkup theksoi se 7 milionë fëmijë në botë janë tashmë duhanpirës dhe se 70 për qind e duhanpirësve në vend kanë filluar në moshë të re. Ndërkohë, përfaqësues të OKB-së dhe UNICEF-it nënvizuan se duhani ndikon më shumë tek komunitetet e margjinalizuara dhe se ndikimi i miqve dhe prindërve që pinë, rrit ndjeshëm gjasat që të rinjtë të fillojnë vetë të pinë.

Një nga rreziqet më të mëdha të cigareve elektronike është varësia nga nikotina. Nikotina është një substancë shumë e fuqishme që ndikon në sistemin nervor dhe krijon varësi të shpejtë, veçanërisht tek truri i të rinjve që është ende në zhvillim. Kjo substancë ndikon negativisht në përqendrimin, kujtesën dhe kontrollin e emocioneve, duke rritur rrezikun për probleme të sjelljes dhe çrregullime të tjera mendore. Përdorimi i rregullt i vejpave ndikon edhe në sistemin e frymëmarrjes. Avulli i prodhuar përmban kimikate që irritojnë rrugët e frymëmarrjes dhe mushkëritë. Kjo mund të shkaktojë kollë të vazhdueshme, vështirësi në frymëmarrje dhe rrit rrezikun për zhvillimin e sëmundjeve kronike të mushkërive. Në disa raste, janë raportuar edhe dëmtime të rënda të mushkërive që kërkojnë trajtim spitalor.

- Advertisement -

Përveç ndikimit në sistemin nervor dhe frymëmarrës, cigaret elektronike dëmtojnë edhe sistemin kardiovaskular. Nikotina dhe përbërësit e tjerë mund të rrisin tensionin e gjakut dhe të dëmtojnë enët e gjakut, duke rritur rrezikun për sëmundje të zemrës. Ky rrezik është edhe më i madh nëse përdorimi i vejpave kombinohet me faktorë të tjerë të pashëndetshëm si mungesa e aktivitetit fizik ose ushqyerja e keqe.

Një tjetër shqetësim është se cigaret elektronike mund të shërbejnë si një hyrje drejt përdorimit të substancave të tjera më të rrezikshme. Të rinjtë që fillojnë me vejp, shpesh më pas kalojnë në përdorimin e duhanit tradicional ose lëndëve narkotike. Kjo është arsyeja pse përdorimi i tyre nuk duhet të inkurajohet, sidomos në moshat e reja. Në përfundim, edhe pse mund të duken si një zgjedhje më moderne ose më pak e dëmshme, vejpat dhe cigaret elektronike përbëjnë një rrezik serioz për shëndetin. Ato ndikojnë negativisht në trurin, mushkëritë dhe zemrën e përdoruesve dhe krijojnë varësi të fortë ndaj nikotinës. Më e mira është që të shmangen plotësisht dhe të ndërgjegjësohemi për pasojat që sjellin. (koha.mk)

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull